Darka e Vitit te Ri me buke djath patate dhe molle
“Njeriu fisnik është i qetë dhe shpirtmadh, edhe pse ai është i destinuar të vuajë gjatë gjithë jetës për të fituar atë që meriton, kjo e fundit mund edhe të mos ndodhë kurrë”, thotë Konfuci, filozof i njohur në arenën ndërkombëtare.
Më erdhi në mendje kjo shprehje jo rastësisht, por sepse sa më shumë takoj njerëz bindem që kjo është tërësisht e vërtetë.
I tillë ishte takimi me pjesëtarët e familjes Mançellari.
Prej 15 vitesh jetojnë në Tiranë. Familja e tyre përbëhet nga 7 pjesëtarë, baba Hasani, mamaja e cila quhet Lavdije dhe 5 fëmijët e tyre të dashur. Ndonëse të përkushtuar, fisnik në shpirt, pamja e tyre fliste shumë për dhimbjet që kishin mbajtur mbi supe.
Hasani tregon se jeta është treguar e padrejtë me ta, ashtu si me shumë familje të tjera që për shkak të varfërisë së mjerueshme që ka kapluar çdo venë të tyre, purbuzen dhe përçmohen me arrogancë nga pjesa tjetër e shoqërisë, e njohur si “high class”, siç i pëlqen ta thërrasin veten.
Edhe pse 7 pjesëtarë, në këtë familje punon vetëm hasani, 45 vjeçari, baba i 5 fëmijëve.
“Punoj si roje prakingu dhe paguhem me vetëm 10 mijë lekë të reja në muaj, ndonëse më duhet të ushqej bashkëshorten dhe 5 fëmijë. Për veten nuk kam menduar kurrë, ka pasur raste të panumërta kur më është dashur të bëj sikur kam ngrënë, vetëm e vetëm që çapën timë ta hanin fëmijët”, tregon kryefamiljari.
Ai pohon se është pjesë e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike nga bashkia e kryeqytetit, pra vetëm nga ky institucion ai merr 20 mijë lekë të reja, ndonëse ndodh që këtë pagesë “modeste” ta marrë një herë në tre muaj ose më shumë.
“Imagjinojeni vetë se çfarë shpenzimesh mund të përballoj me këto shifra. Është e pamundur, madje ndonjëherë e pyes veten se si jemi ende gjallë. Askush tjetër nuk kujtohet për ne, as shteti, askush. Ajo që di me siguri është që duhet të mbijetojmë, po sidomos unë edhe pse pa dëshirën time, kam një detyrim të fortë ndaj fëmijëve që solla në jetë me dëshirën për ti mirërritur dhe shkolluar”, rrëfen 45 vjeçari.
Lavdija thotë se nuk punon, jo sepse nuk dëshiron, por sepse nuk mund të gjejë një vend pune.
“Kam kërkuar pafund të filloj punë si pastruese apo çfarëdo por sapo kanë mësuar që jetoj në kushte të vështira ekonomike janë frikësuar se mund tu shkaktojë probleme”, rrëfen 39 vjeçarja.
Fëmijët janë përkatësisht 12 vjeç, 16, 17 dhe 9 vjeç më i vogli. Ardjani është djali i tyre më i madh dhe i vetmi që shkon në shkollë, ndërsa të tjerët qëndrojnë në shtëpi, lypin ose shesin banane nga ato që i blen i ati në raste festash.
“Ëndrra më e madhe e imja do të ishte ti shikoja fëmijët në shkollë dhe pastaj të vdisja. Vlora, njëra prej vajzave është shumë e zgjuar, di të bëjë llogari dhe të shumëzojë e vetme, sepse makinë llogaritëse nuk ka prekur ndonjëherë në jetën e saj, por nuk e çoj dot në shkollë sepse nuk kam para ti blej librat”, thotë Lavdija.
Histori prekëse, rrënqethëse, tronditëse…
Ndërsa sytë të mbushen me lot kur shikon kushtet ku jetojnë, ndjen përbrenda një urrejtje të thellë për ata që qëndrojnë “lart”, për ata që pasurohen me dhimbjet dhe vuajtjet e popullit të tyre, për ata që shijojnë pushimet dhe luksin e papërshkrueshëm që kanë mbërthyer muret e shtëpive të tyre.
Shtëpia e tyre kishte vetëm një dhomë, e cila shfrytëzohej për të fjetur, “gatuar”, apo qëndruar dhe tualeti i stilit “alla frënga”.
Ah po në kuzhinë apo dhomë, quajeni si të doni, ndodhej edhe një frigorifer, që mbante brenda 50 gram djath, tre kokrra mollë dhe dy patate.
“Mos e shikoni kështu. Këto ushqime janë vetëm gjatë ditëve të zakonshme”, thotë zotëria teksa i dridhej mjekra, si për tu justifikuar në sytë e mi.
Ai rrëfen se festat po afrohen dhe se ka menduar ti dhurojë për herë të parë pas 15 vitesh fëmijëve, pemën e vitit të ri.
Ishte një bredh i “improvizuar”, por që shprehte shumë.
Tryeza e vitit të ri për ta nuk do të jetë si ajo e shumë familjeve shqiptare, që kursejnë për të shpenzuar dhe për të mbushur tavolinën me të gjitha asortimentet. Për ta kjo do të ishte ëndërr. Hasani pohon se do të jetë e vakët, madje pranon se ushqimi i tyre do të jetë po ai që pamë në frigorifer, vetëm se për ta shoqëruar do të jetë edhe një shishe shurup, i përgatitur me shumë dashuri nga mama lavdija, me gjethe trëndafili.