Bankat, kredia e keqe trefishohet
Në harkun kohor të 18 muajve, kredia me probleme ka shkuar në 90 milionë dollarë
Specialistët deklarojnë se rritja e shpejtë në 2 vitet e fundit, do të sjellë përkeqësim në vitet në vazhdim
Sipas specialistëve të BSH-së, pjesa dërrmuese e kredive të portofolit total që kanë dhënë bankat, janë kredi të reja. Këto kredi ende nuk kanë dhënë një sinjal për rrezikun që ato mbartin, veçanërisht kur kemi parasysh se rritja e tyre është me 2 herë gjatë 2 viteve të fundit.
Nga rreth 36 milionë dollarë, që ka qenë në fund të vitit 2005, kredia e keqe në qershor të vitit 2007 ka mbërritur në 90 milionë dollarë. Në vitin 2008 pritet që të merren një sërë masash nga ana e Bankës së Shqipërisë, për një kontroll më të mirë të procesit.
Kredia e keqe është trefishuar në harkun kohor të 1 viti e gjysëm. Rritja e shpejtë e kreditimit nga ana e sistemi bankar, është shoqëruar me shtim të shpejtë edhe të kredisë së keqe. Nëse i referohemi vlerave të dhëna nga ana e Bankës së Shqipërisë, nga rreth 36 milionë dollarë që ka qenë në fund të vitit 2005, kredia e keqe në qershor të vitit 2007 ka mbërritur në 90 milionë dollarë. Në vitin 2008 pritet që të merren një sërë masash nga ana e Bankës së Shqipërisë, për një kontroll më të mirë të procesit të kreditimit. Por specialistët vënë alarmin se duhet të tregohet më shumë kujdes në këtë drejtim nga ana e bankave pasi pjesa dërrmuese e kredive është dhënë në vitet 2005-2007. Në këto kushte pritet që përkeqësimi i portofolit të jetë në një kohë të mëvonshme, referuar ehe përvojës botërore në këtë drejtim.
Por nëse i referohemi raportit të kredisë me probleme ndaj portofolit të kredisë së dhënë nga ana e sistemit bankar, niveli mbetet i ulët duke konfirmuar se sistemi bankar operon brenda normave të sigurisë. Nga ana tjetër, specialistët e bankave bëjnë të ditur se raporti kredi me probleme ndaj portofolit total të kredisë vërtet është tregues bazë, por në kushtet kur pjesa më e madhe e këtij portofoli është dhënë në 2 vitet e fundit, ky raport mund të ketë ndryshime në vitet e ardhshëm. Regjistri i kredive pritet që të jetë një zhvillim pozitiv në këtë drejtim, duke bërë që bankat të kenë një njohje më të mirë të klientëve të tyre. Ky regjistër, që do të jetë i disponueshëm për të gjitha bankat, pritet që të futet në punë në muajin janar të vitit 2008.
Por veç kredive tashmë të klasifikuara si me probleme, Banka e Shqipërisë ngre edhe një problem tjetër, që ka të bëjë më informacionin jo të plotë që jepet në ketë drejtim nga ana e bankave të nivelit të dytë, duke fshehur në një pjesë të konsiderueshme riskun që mund të vijë nga ky aktivitet. Ka qenë vetë kreu i BSH-së, Fullani, që ka bërë të ditur se megjithëse statistikat tregojnë se ende përqindjet e kredive të këqija janë të ulëta, përsëri është e domosdoshme një lloj prudence në këtë drejtim. "Të gjithë e dimë se metodat e klasifikimit dhe riklasifikimit mund të jenë një instrument në duart e bankave, për të fshehur realitetin. Hyrja e grupeve të mëdha bankare ka rritur presionet tek operatorët e tjerë për më shumë përpjekje në drejtim të zënies së tregut. Shpeshherë kjo bëhet në dëm të cilësisë së portofolit. Po kështu, të mos harrojmë se edhe bilancet e kompanive nuk janë të sinqerta, duke shtuar një problem më shumë në këtë drejtim. Në përfundim, do të thosha se edhe zhvillimet aktuale në tregun e pasurive të paluajtshme kanë një potencial negativ në këtë drejtim. Rritja e madhe e çmimeve në kushtet kur pasuritë e paluajtshme përbëjnë rreth 80 për qind të kolateralit, mbart një potencial negativ në rast të materializimit të rënies së menjëhershme të çmimeve në tregun e aseteve fikse",- ka sqaruar Fullani.
Në 1 vit e gjysmë, kredia e keqe e dhënë për shtëpi është rritur 4 herë
Shtëpitë, rrezik për krizë imobiliare
BSH: Rreziku për bankat shtohet nëse kemi një rënie të çmimit të banesave
Në harkun kohor të 1 viti e gjysëm (dhjetor 2005-qershor 2007) kredia me probleme e dhënë në drejtim të blerjes së shtëpive nga ana e bankave është katërfishuar. Rritja e kredisë me probleme është rreth 2 herë më e shpejtë se e portofolit të kredive që bankat kanë shtuar gjatë kësaj periudhe (në përqindje). Në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti, kredia e keqe e dhënë në drejtim të blerjes së pasurive të paluajtshme ishte 10 milionë dollarë nga 2.6 milionë dollarë që ishte ky tregues në fund të vitit 2005.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo peshë, ndonëse ka ardhur duke u rritur gjatë trevjeçarit të fundit, zë ende një përqindje relativisht të vogël, prej 10 për qind ndaj tepricës totale të kredisë me probleme, në fund të dhjetor '06 dhe 11.64 për qind në qershor'07. Pavarësisht këtij fakti, autoriteti mbikëqyrës bën të ditur se duhet monitoruar në vazhdimësi, pasi rritja e shpejtë e kredive mund të sjellë një përkeqësim në rritje të këtij treguesi. Ecuria e cilësisë së portofolit të kredisë për pasuri të paluajtshme gjatë periudhës dhjetor '01- qershor '07 është karakterizuar nga një prirje rritëse e totalit të kredisë për pasuri të paluajtshme. Kjo prirje nga ana e saj, është karakterizuar nga vlera gjithnjë në rritje të vëllimit të kredisë cilësore. Por edhe përsa i përket kredisë së dhënë nga ana e bankave të nivelit të dytë për sektorin e ndërtimit, raporti kredi e keqe ndaj totalit të portofolit të dhënë mbetet në nivele të ulëta. Një rezultat i tillë vjen për shkak të bazës disa herë më të madhe që ka portofoli i kredisë në total, që ka shoqëruar një rritje me tre herë gjatë kësaj periudhe.
Të gjitha bankat e nivelit të dytë, mendojnë se edhe në vazhdim do të ketë një rritje të kredisë për pasurit të paluajtshme. Përsa i përket nivelit të çmimeve në këtë treg, bankat bëjnë të ditur se do të ketë një rritje të mëtejshme të çmimit të truallit dhe të ambienteve të biznesit, ndërsa janë më të lëkundura mbi ecurinë e çmimit të apartamenteve. Tregu i apartamenteve ka pësuar një rënie në nivelin e blerjeve, veçanërisht nga ana e individëve. Një faktor i tillë ka gjetur si një nga shpjeguesit kryesorë, rritjen e çmimeve dhe nivelin e tyre, që ka çuar në një rënie të fuqisë blerëse.