Zgjidhet "qesja", 485 milionë USD në 60 ditë
Financat deklarojnë se realizimi i investimeve publike shkon në 95 për qind për vitin 2007
Në 60 ditë realizohen 57% e investimeve vjetore, qeveria u disburson kompanive 485 milionë dollarë
Kompania "Bechtel" do të marrë fondet më të mëdha që kanë tepruar në buxhet, për shkak të mosrealizimit të investimeve gjatë vitit 2007. Fondet do të paguhen në avancë nga qeveria për punimet që do të realizohen në 2008.
Ministria e Financave ka bërë një rishpërndarje të fondeve në buxhet, duke i orientuar fondet në drejtim të atyre investimeve ku ka një ecuri më të mirë të volumit të punimeve.
Rreth 85 milionë dollarë nga buxheti, të paparashikuara deri tani, do të shkojnë për KESH-in si subvencion dhe një pjesë e tyre (25 milionë USD) për shpërblime të pensionistëve në fundin e vitit. Shtesa të ndryshme në fonde ka pasur në buxhet edhe për ministritë e linjës.
Qeveria ka zgjidhur qesen në 2 muajt e fundit të vitit, duke realizuar në letra 57% të investimeve që ishin parashikuar në buxhetin e vitit 2007. Shifra të tillë mbeten tepër optimiste kur në 10 muaj janë realizuar vetëm 38% e investimeve vjetore, referuar të dhënave të Ministrisë së Financave. Por vetëm 10 ditë në mbyllje të këtij viti Ministria e Financave bën të ditur se realizimi i investimeve do të jetë 95% për vitin 2007, ndërsa një pjesë e fondeve po alokohen në ato sektorë ku edhe vëllimi i punimeve është më i shpejtë. Sërish edhe për vitin 2007, si në 2006 kompania "Bechtel" do të marrë kartolinën e urimit për vitin 2007 bashkë me "dhuratën" e qeverisë, që do të jenë fonde shtesë dhe paradhënie për punimet e rrugës Durrës-Kukës. Nga ana tjetër, në disa mbledhje të qeverisë janë miratuar vendime për alokime fondesh në disa ministri të linjës. Edhe shpenzimet shtesë që do të jepen për blerje energjie dhe shpërblime në fund të vitit, do të amortizojnë një pjesë të mosrealizimeve të konstatuara tashmë prej qeverisë.
Investimet në 10 muaj
Referuar shifrave të Ministrisë së Financave, gjatë 10 muajve të parë të vitit 2007 (janar-tetor) realizimi i investimeve të huaja ishte në nivelin 38%, ose në vlerë 26.7 miliardë lekë ose 326 milionë dollarë. Nëse krahasohen me realizimin e investimeve në vitet e tjera, sërish viti 2007 mbetet në nivele tepër të ulëta jo vetëm si përqindje ndaj totalit të investimeve në këtë vit, por edhe në vlerë absolute, krahasuar me vitet e mëparshëm. Sipas qeverisë për mosrealizimin e investimeve, faktor pengues ka qenë kapaciteti i pakët i firmave të ndërtimit.
Investimet në 2 muaj
Rreth 57% e investimeve vjetore sipas Ministrisë së Financave janë realizuar në 2 muajt e fundit të vitit, në muajin nëntor dhe atë dhjetor. Bashkë me 38% e fondeve të disbursuara në 10 muajt e parë të vitit 2007, në total shifra shkon në 95%. Vetëm 5% do të jenë mosrealizimet, sipas Financave. Por shifra prej 485 milionë dollarë të bën të mendosh se si ka mundësi që këto kompani që nuk kishin kapacitete për 10 muaj, tashmë paskan shtuar fuqitë duke tërhequr 57% të investimeve vjetore në një kohë rekord. Plani i realizuar gjatë kësaj periudhe është 1% në ditë ose në vlerë rreth 8 milionë dollarë çdo ditë. Sipas llogarive 60 ditët e fundit të këtij viti kanë qenë me të vërtetë produktive, ndërsa punimet e realizuara të paktën në akset kryesore kanë vonesa të dukshme, të konstatuara edhe nga ana e institucioneve përkatëse.
Ndërtuesit kundërshtojnë qeverinë
Pas vonesave të shumta në investime gjatë kësaj periudhe, qeveria ka menduar që të bëjë një vendim shtesë, në të cilin të përcaktojë edhe oraret me të cilat do punojnë firmat e ndërtimit. Kështu, vendimi që pritet të miratohet në fillim të vitit 2007 ka si qëllim që firmat e ndërtimit të punojnë me tre turne, për rastet kur kemi të bëjnë me ndërtimin e veprave publike. Zhvillimi i punës me tre turne, nga firmat e ndërtimit, do të jetë për periudhën 22 mars deri në 22 tetor. Sipas kryeministrit Berisha mjaft kompani ndërtimi aplikojnë në gati 17 tenderë, me të njëjtat dokumente dhe me 1/10 e kapaciteteve me të cilat duhet të përmbushin detyrimet. Por sipas ndërtuesve nuk janë ata që po i vonojnë investimet. "Nuk jemi ne që po vonojmë realizimin e investimeve, por janë procedurat e pafundme që nuk lejojnë të vazhdojmë, duke filluar nga dokumentacioni i ngarkuar, deri tek mospagesat në afate për punimet e kryera. Jemi dakord me fjalën e Kryeministrit përsa i përket firmave fantazëm, të cilat me mashtrime në tenderë të dyshimtë po lënë pa punë firmat serioze dhe mjaft të fuqishme, që kanë ndërtuar vendin në këto 17 vite",- sqarojnë ndërtuesit. Nga ana tjetër, ndërtuesit sqarojnë se, kapacitet janë të konfirmuara dhe ata janë plotësisht të aftë të thithin fondet dhe t'i vënë ato në punë. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, nëse ka punë, janë vetë firmat që janë të interesuara të shtojnë ritmin e punimeve, për të përfunduar brenda afateve ligjore. Ndërsa, përsa i përket propozimit për të punuar me tre turne, sipas ndërtuesve vlerësohet i pamundur, në një kohë që në të gjithë pjesët ku kryhen investimet publike natën nuk ka drita dhe në 24 orë kufizimet shkojnë në 17 orë.
Tregues të investimeve për vitin 2007
Investimet në 10 muaj 854 milionë USD ose 70 miliardë lekë janë investimet në 2007
811 milionë dollarë ose 95% është realizimi sipas Financave
42.7 mln USD ose 5% është mosrealizimi për vitin 2007
326 milionë USD ose 26.7 miliardë lekë investimet në 10 muaj
38 për qind realizimi për 10-mujorin
Treguesit në 2 muaj
485 milionë dollarë janë investimet në 2 muaj
57% është realizimi në 2 muaj e fundit
8 milionë USD në ditë janë investimet për 2 muajt e fundvitit