E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat lëshojnë dorën për kredi

Sipas një raporti të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, dhënia e kredive nga bankat është rritur me 8.6 për qind. Ndryshe nga sa pritej, BSH-ja e ka lënë të pandryshuar normën e interesit

Edhe pse në deklarata të mëparshme zyrtare të Bankës së Shqipërisë ishte lënë të kuptohej se pritje një ulje e mundshme e normës së interesit, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së e ka lënë atë të pandryshuar ende, pra në nivelin 6.25 për qind

Sistemi bankar në Shqipëri i ka dhënë prioritet dhënies së kredisë dhe lidhur me këtë, shifrat shënojnë rritje. Sipas një raporti të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë të publikuar dje, vihet re se gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, dhënia e kredisë është rritur me afro 8.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Teprica e kredisë së sistemit gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008 shënoi rritje me rreth 30.8 miliardë lekë, ose me 8.9 për qind, nga rritja me 33.5 miliardë lekë, ose me 10.7 për qind tremujorin paraardhës dhe nga 20.6 miliardë, ose 8.6 për qind për të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në raportin e Këshillit Mbikëqyrës së Kredisë. Sipas të njëjtit raport, edhe këtë tremujor analiza e dinamikës së strukturës së portofolit të kredive dallon për ritmin më të lartë rritës të kredisë akorduar bizneseve, kundrejt kredisë dhënë individëve. Tendenca e periudhave të fundit, gjatë së cilave portofoli i kredive akorduar individëve prezantonte peshë në rritje në portofolin e kredive, ka ndryshuar kah në tremujorin e dytë, duke u prezantuar në rënie krahasuar me periudhën e mëparshme dhe vazhdon edhe në këtë tremujor të tretë të vitit.

Ulen kreditë e këqija

Treguesi që mat cilësinë e portofolit të kredive të sistemit “Kredi me probleme/totali i kredive” u përmirësua, vërehet në raport, megjithëse në nivele jo të ndjeshme. Sipas Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së, ky tregues përllogaritet në nivelin 4.1 për qind, nga 4.3 për qind në tremujorin e dytë. Krahasueshmëria e treguesit që mat cilësinë e portofolit të kredive me vendet e rajonit tregon për një cilësi të portofolit të kredive në sistemin bankar në Shqipëri në nivele relativisht të mira krahasuar me nivelin e përgjithshëm të këtij treguesi në rajon.

Rriten asetet e bankave

Sistemi bankar vazhdon të shënojë rritje të konsiderueshme në tregun shqiptare, çka e vërteton fare mirë edhe rritja e aseteve të bankave me 50.06 miliardë lekë, ose afro 6.2 për qind. “Ndryshimi i aktiveve sipas grup-bankave dallon grupin e bankave të vogla (G1) me normën më të lartë të rritjes dhe konkretisht me 12.6 për qind, ose me rreth 3.5 miliardë lekë, pasuar nga G2 dhe G3”, vërehet në raportin e BSH-së. I njëjti raport vëren se depozitat me afat, të vendosura në institucione financiare jorezidente, përfaqësojnë vendosjet kryesore në këto institucione, rreth 91 për qind në tetor 2008. Ato ndiqen nga llogaritë rrjedhëse, të cilat përbëjnë rreth 5.2 për qind të vendosjeve dhe huatë dhënë këtyre institucioneve me peshë 3.8 për qind. Rreth 67.5 për qind e depozitave në institucione financiare jorezidente në fund të muajit tetor janë me afat maturimi deri në një muaj.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›