E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na kërkoi lekë për operacionet

Një nga denoncuesit pretendon se Agim Karaj i ka kërkuar 30 mijë lekë për operimin e bashkëshortes, e cila tashmë nuk jeton më

TIRANË - Agim Karaj, mjeku i arrestuar pak kohë më parë nën akuzën e korrupsionit, dyshohet se ka marrë para nga familjarët e dy pacientëve që ka operuar gjatë këtij viti. Pas arrestimit të kirurgut onkolog, në Prokurorinë e Tiranës kanë depozituar kallëzim penal dy persona, të cilët pretendojnë se mjeku Karaj iu ka kërkuar para për operimin e familjarëve të tyre. Burime të rezervuara pranë prokurorisë së kryeqytetit thanë për “Korrierin”, se ditët e fundit janë regjistruar edhe dy denoncime të tjera, që akuzojnë mjekun për marrje ryshfeti gjatë ushtrimit të detyrës si kirurg në repartin e Onkologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Sipas pretendimeve të dy denoncuesve, bëhet me dije se kirurgu onkolog u ka kërkuar përkatësish 20 dhe 30 mijë lekë për operimin e familjarëve të tyre, njëri prej të cilëve tashmë nuk jeton më, si pasojë e sëmundjes së rëndë të kancerit. Burimet thonë se denoncuesi, pasi mësoi lajmin e arrestimit të mjekut Agim Karaj, iu drejtua Prokurorisë së Tiranës, ku tregoi se si ish-shefi i repartit Onkologjik i kishte kërkuar shumën e 30 mijë lekëve për operimin e bashkëshortes, e cila tashmë është ndarë nga jeta si pasojë e sëmundjes së rëndë. Denoncuesi ka rrëfyer me detaje gjithë historinë e përjetuar nga ai dhe bashkëshortja e sëmurë, e cila nis dhe përfundon në mesin e këtij viti, kur e ndjera i është nënshtruar operacionit. Prokuroria thotë se denoncimi tashmë është administruar në dosjen hetimore, por verifikimi i tij pritet të jetë tepër i vështirë, jo vetëm për shkak të kohës që ka kaluar, por edhe për mungesën e provave që mund të vërtetojnë një gjë të tillë. Të njëjtat burime shprehen se vetëm pak ditë më parë, një tjetër denoncuese është paraqitur në zyrat e organit të akuzës, duke ngritur pretendimin se mjeku Agim Karaj i ka kërkuar para për operimin e bashkëshortit të saj, i cili është diagnostikuar me kancer. Denoncuesja pretendon se kirurgu i ka kërkuar shumën e 20 mijë lekëve, fakt ky i pasqyruar edhe në kallëzimin penal të administruar nga organi i akuzës. Me dy kallëzimet e depozituara së fundmi në prokurori, shkon në tre numri i personave që akuzojnë mjekun Agim Karaj për marrje ryshfeti. Fillimisht ishte një pacient, ai që iu drejtua policisë së kryeqytetit për denoncimin e rastit korruptiv, ku sipas të cilit kirurgu i kishte kërkuar 35 mijë lekë për operimin e një familjari të tij. Pas verifikimit të këtij denoncimi, policia arrestoi më 4 nëntor mjekun 58-vjeçar, pasi më datë 31 tetor ai i kishte marrë shumën e 35 mijë lekëve pacientit, i cili iu drejtua autoriteteve policore për vënien e drejtësisë në vend. Ky moment sipas prokurorisë është i provuar tërësisht, ndërsa aktualisht po punohet për zbardhjen e denoncimeve të tjera të mbërritura pranë organit të akuzës. Por me gjithë provat e paraqitura nga prokuroria, Gjykata e Tiranës vendosi ndryshimin e masës së sigurisë për kirurgun 58-vjeçar, nga “arrest me burg” në mungesë, në “arrest shtëpie”, duke dhënë si argument rrezikshmërinë e ulët shoqërore që paraqiste mjeku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›