Kromi i Kalimashit, turq dhe shqiptarë në garë

Mësohet që njëra nga kompanitë e interesuara për të marrë minierën e kromit në Kalimash është turke, ndërsa pritet që në garë të futet edhe një kompani shqiptare
Pas eksperiencës së deritanishme lidhur me fushën e dhënies me koncesion të minierave dhe kombinateve të përpunimit minerar në Shqipëri, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe e Energjetikës merr edhe një herë iniciativën për dhënien e atyre minierave që kanë mbetur të paprekura pas viteve ‘90. Kështu, miniera e kromit në Kalimash, ajo në Vlahnaj, si dhe kombinatet përkatës të përpunimit do t’u nënshtrohen tashmë procedurave të prokurimit. “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe e Energjetikës ka hapur procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të minierës së kromit në Kalimash, minierës së kromit në Vlahnaj, fabrikës së pasurimit të kromit në Kalimash dhe fabrikës së pasurimit të bakrit në Golaj. Afati i fundit i dorëzimit të ofertave është data 11 shkurt 2009 dhe ato do të hapen në të njëjtën ditë”, bënë të ditur dje burime nga METE. Nga burime konfidenciale mësohet se njëra nga kompanitë e interesuara për të marrë me koncesion minierën e kromit në Kalimash është turke, ndërsa duket se në garë do të hyjë edhe një tjetër kompani me aksionerë shqiptarë. Ndërsa për sa i përket minierës së Vlahnajt, ende nuk dihet se kush janë të interesuarit.
Shteti dështon me koncesionin minerar
Pothuajse të gjitha strukturat minerare të dhëna me koncesion kanë rezultuar të pasuksesshme, dhe kjo për arsye se koncesionarët, që në të gjithë rastet kanë qenë të huaj, kanë shkelur kontratat, duke mos respektuar ligjin dhe investimet përkatëse. Për ta bërë më konkret këtë fakt, mjafton të përmendim këtu rastet e kompanive “Darfo Albania” apo edhe atë të “Ber Alb sh.a”, përkatësisht kompani për nxjerrjen dhe përpunimin e kromit, dhe nxjerrjen dhe përpunimin e bakrit. Mosinvestimet dhe vjelja e pjesëve më të pasura të minierave nga të dyja kompanitë e sipërpërmendura ka bërë që burimet të zhvishen tërësisht, ndërsa punëtorët të mbeten pa punë. Eksperienca e deritanishme ka treguar se në rastet kur koncesioni u është dhënë kompanive shqiptare, ato kanë rezultuar të suksesshme, ndërsa kur koncesionarë kanë qenë kompani të huaja dhe kryesisht kompani turke, vetëm është zhvatur dhe nuk është investuar asnjë lek.