E Diel, 1 Nëntor 2026

“Një OKB”, ambasadorët zbresin në Tiranë

Ambasadorë të Kombeve të Bashkuara nga Irlanda dhe Tanzania, të cilët aktualisht shërbejnë si bashkë-kryetarë të Konsultimeve të Koherencës të

Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, do të vizitojnë Shqipërinë nga 30 prilli deri më 1 maj për të vlerësuar punën lidhur me reformën e OKB-së dhe programin “Një OKB”. Përpara se të vizitojnë Shqipërinë, ambasadorët do të vizitojnë Vietnamin, Tanzaninë, Mozambikun dhe Kepin e Gjelbër, vende në të cilat po ashtu po zbatohen për herë të parë reformat e OKB-së. Augustine Mahiga, Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Bashkuar të Tanzanisë në Kombet e Bashkuara dhe ambasadori Paul Kavanagh, Përfaqësues i Përhershëm i Irlandës në Kombet e Bashkuara, do të takojnë Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha dhe anëtarë të tjerë të kabinetit. Gjatë misionit të tyre në Shqipëri, ata po ashtu do të takojnë Ekipin e Kombeve të Bashkuara, partnerë të zhvillimit, anëtarë të komunitetit donator dhe organizatave ndërkombëtare. Një aspekt i rëndësishëm i vizitës së tyre do të jenë konsultimet me përfaqësues të shoqërisë civile për të mësuar pikëpamjet e tyre mbi programin “Një OKB”. Programi “Një OKB” vjen si përgjigje ndaj kërkesës të shteteve anëtare të OKB-së për të rritur koherencën dhe efektivitetin e veprimeve të organizatave të zhvillimit të OKB-së. Më 2007, tetë shtete – Shqipëria, Kepi i Gjelbër, Mozambiku, Pakistani, Ruanda, Tanzania, Uruguai dhe Vietnami – dolën vullnetarë për të zbatuar për herë të parë modelin pilot të “Një OKB”. Në secilin vend, agjencitë e OKB-së u bashkuan për të shfrytëzuar bashkërisht kapacitetet e veçanta dhe ekspertizën e nevojshme për t’ju përgjigjur kështu përparësive kombëtare, nëpërmjet një programi, një kuadri buxhetor, një drejtuesi dhe një zyre të përbashkët. Aktualisht, janë njëmbëdhjetë agjenci të OKB-së, rezidente dhe jo-rezidente, fonde dhe programe që janë bashkuar në mënyrë strategjike për të dhënë kontributin e tyre për përparësitë e zhvillimit në Shqipëri nëpërmjet programit “Një OKB”. Ky program, i nënshkruar në tetor 2007, u hartua në vijim të konsultimeve të ngushta me Qeverinë dhe partnerë të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›