E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i Bankës Botërore: Varfëria dhe uria nuk mund të presin më

Kriza e çmimeve të mallrave ushqimorë që ka përfshirë shumë vende të botës është kthyer në epiqendrën e vëmendjes së ndërkombëtarëve.

Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Robert B. Zoellick, pas një takimi në Bernë, Zvicër për Koordinimin e shefave të Bordit Ekzekutiv të Sistemit të Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se, javët në vazhdim janë kritike për adresimin e krizës së ushqimit. “Një marrëveshje e re duhet të përfshijë mbështetje për nevoja emergjente si ushqimi në shkolla, dhe programet e transferimit kesh të parave; rritjen e prodhimeve të agrikulturës; ndikimin e biokarburanteve dhe barrierat tregtare”, ka thënë ai. Sipas tij, BB-ja do të punojë me agjencitë e OKB-së për të identifikuar vendet që kanë nevojë më shumë për këtë mbështetje financiare. “Ne po dyfishojmë mbjelljet agrikulturore në Afrikë gjatë viteve të ardhshme, me 800 milionë dollarë. Po u kërkojmë vendeve të mos përdorin ndalesa eksporti. Këto janë çështje kritike për ndërhyrjen ndërkombëtare dhe duhet të zgjidhen në javët në vazhdim që gjërat të ndryshojnë”, ka theksuar në deklaratën e tij. Nga kjo krizë botërore e çmimeve të ushqimeve është prekur edhe vendi ynë. Kjo, pasi për vetë konjukturën që ka tregu vendas ku kërkesa për drithëra, miell e oriz plotësohet nga importi. Vetëm gjatë 10 ditëve të fundit çmimi i orizit, sheqerit e miellit është rritur me 20 lekë për kilogram.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›