E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat, me fitim

Nga Express më 01 shkurt 2011 në ora 09:35

Tri banka që kanë publikuar bilancin e vitit të kaluar kanë treguar fitim afër 16 milionë eurosh. BKT`ja i jep fund periudhës kur punonte me humbje. Fitimin më të madh e ka “Raiffeisen Bank”, e cila për dymbëdhjetë muaj të punës në Kosovë ka fituar mbi 11,3 milionë euro, ose 27 për qind më shumë se një vit më parë. Raiffeisen, sipas bilancit të publikuar, ka dhënë kredi në shumën prej 352,5 milionë eurosh dhe shënon një rritje dy për qind.

Ndërkaq, në depozita mban mbi 548 milionë euro, përkatësisht 8 për qind më shumë se në fund të kuartalit të tretë të vitit të kaluar. Se kjo bankë kishte politikë më konservative kredituese flet fakti se në fund të shtatorit në kredi kishte 68,2 për qind të depozitave, ndërsa vjet 64,3 për qind. Ndonëse banka sllovene NLB e kishte përfunduar vitin me humbje, kjo nuk i ndodhi degës së saj në Kosovë , “NLB Prishtina”.

Ajo në fund të vitit tregoi fitim mbi katër milionë euro, ose 19 për qind më shumë se në kuartalin paraprak. Kjo bankë vjet ka pasur një rënie të lehtë të kredive. Ato ishin 184,4 milionë euro, ose 1,4 për qind më pak. Mirëpo, depozitat në një shumë prej 293,5 milionë eurosh ishin 7,3 për qind më shumë se në fund të shtatorit të vjetëm. Duke respektuar politikën konservative, NLB’ja në Prishtinë vjet në kredi kishte 62,8 për qind të depozitave, ndërsa tre muaj më herët – 69,6 për qind.

Befasia e vitit ishte Banka Kombëtare Tregtare, njësia në Kosovë. Ajo ka tejkaluar periudhën e humbjeve, e cila bankave fillestare iu lejohet për tri vjet. Nga 1,9 milion euro humbje sa kishte në vitet e mëhershme, vitin 2010 e mbylli me fitim 441 mijë euro, ose 35 për qind më shumë se në fund të shtatorit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›