Flasin pas certifikimit

Përpjekjet për krijimin e Qeverisë së re në aspektin formal janë ende në nivelin zero.
Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, i cili pritet të jetë mandatar për krijimin e Qeverisë, megjithatë publikisht po shfaqet optimist.
Ai ka thënë se Qeveria e re pritet të krijohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve.
Disponimin e tyre të hënën e kanë shprehur edhe dy partitë e tjera. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë ofertë nga PDK’ja për punën e Qeverisë, përderisa Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përsëritur qëndrimin e saj se dëshiron të mbetet në opozitë.
Thaçi ka thënë se Kosova do ta ketë një Qeveri të re, e cila do të jetë shumetnike, gjithëpërfshirëse dhe me orientim euroatlantik.
“Përfundimisht dihet botërisht legjitimiteti i qytetarëve të vendit. Partia fituese me një rezultat bindës është PDK-ja. E ritheksoj edhe një herë se menjëherë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, do ta kemi edhe Qeverinë e re, shumetnike, shumëpërfshirëse në kuptimin politik dhe standardeve euroatlantike”, ka thënë Thaçi.
Deklaratat e Thaçit vijnë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin e zgjedhjeve.
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 32.11 për qind dhe 34 deputetë, LDK’ja 24.69 dhe 27 deputetë, Vetëvendosja 12.90 ose 14 deputetë, AAK’ja 11.04 ose 12 deputetë dhe AKR’ja 7.29 ose 8 deputetë, ndërsa partitë minoritare me vendet e rezervuara kanë fituar 25 vende.
Faktori ndërkombëtar në vend ka kërkuar krijimin e një qeverie me duar të pastra, e cila pritet të jetë edhe një pengesë për krijimin e Qeverisë së re.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka përsëritur se nuk dëshiron të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme.
Ky pozicion është përsëritur nga kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa.
“Nuk do të bëjmë koalicion, jam shprehur se nuk do të bëjmë koalicion. Ne jemi pozicionuar si LDK se ku do të jemi, ne do të jemi në opozitë në Parlamentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, ndërsa tash, ne presim që të bëhet edhe certifikimi i rezultatit”, ka thënë Mustafa.
Kreu i LDK’së ka hedhur poshtë mundësinë që disa deputetë të LDK-së të kalojnë të bëhen pjesë e koalicionit të ri, PDK-së dhe subjektet e tjera.
Ai ka thënë se ka dëgjuar për diçka të tillë, por ka thënë se deputetët e LDK’së nuk mund të trafikohen nga një subjekt në tjetrin.
“Nuk e kemi asnjë mercenar që na është futur në listën e deputetëve dhe nuk shohim asnjë arsye që qeverisja e ardhshme e Kosovës të bazohet në trafikimin e deputetëve, sepse nuk do të ketë qeverisje të sigurt dhe nuk do të ketë qeverisje të qëndrueshme”, u shpreh Mustafa.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq, ka bërë të ditur se nuk ka marrë ofertë nga Partia Demokratike e Kosovës për të qenë pjesë e Qeverisë së re.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka deklaruar të hënën se kjo parti pavarësisht se a do të jetë në pushtet apo në opozitë, është e gatshme ta marrë pjesën e vet të përgjegjësisë.
“Ne jemi për krijimin e një parlamenti ashtu si e do vendi, për institucione të fuqishme, për një qeveri, e cila është stabile dhe që e përfundon mandatin. Dhe, ne mendojmë se AAK’ja e merr pjesën e vet të përgjegjësisë, qoftë nëse hyn në qeveri, qoftë nëse mbetet në opozitë”, ka thënë Isufi.
Sido që të jetë, bisedimet për Qeverinë e re pritet të jenë të vështira për shkak të kërkesave që po shfaqin partitë.
Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ka deklaruar të dielën për Express se do të pranojë të lidhë koalicion me Thaçin vetëm nëse atij i jepet posti i Presidentit të Kosovës.