E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat, ndryshon rregullorja për pastrimin e parave

27/06/2009  Banka e Shqipërisë përmirëson rregullat e raportimit të punonjësve

Bankat duhet të raportojnë veprimet që klientët bëjnë me shumën mbi 1,5 milionë lekë. Rregullorja e re ka ulur këtë kufi, nga 2 milionë lekë që ka qenë me rregulloren e mëparshme. Me ndryshimin e rregullores për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, është bërë e mundur unifikimi i mënyrave të raportimit.

Raportimi tek autoriteti përgjegjës

Bankat e nivelit të dytë duhet të raportojnë pranë autoritetit përgjegjës, që është institucioni mbikëqyrës, sipas formularëve të raportimit dhe afateve të përcaktuara me akt nënligjor nga autoriteti përgjegjës, rastet e raportimit janë të përcaktuara në këtë rregullore, e cila zëvendëson atë të pesë viteve më parë. Aktualisht, sipas rregullores duhet të raportohet për të gjitha transaksionet në para fizike, në një vlerë të barabartë ose më të madhe se 1 500 000 lekë ose vlerën në monedha të tjera të huaja. Por gjithashtu, kjo rregullore përcakton si të detyrueshme për të raportuar edhe të gjitha transaksionet jo në para fizike, në një shumë të barabartë në vlerë me ose më të madhe se 6 milionë lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera të huaja, të kryera si një transaksion i vetëm ose si transaksione të lidhura me njëri-tjetrin. “Subjektet, kur kanë arsye të besojnë ose të dyshojnë se transaksioni i kërkuar për t’u kryer nga një klient apo një person tjetër për llogari të klientit, mund të përfshijë pastrim parash ose financim terrorizmi, ia raportojnë menjëherë çështjen autoritetit përgjegjës. Në këto raste, subjektet presin deri në 48 orë pas raportimit në autoritetin përgjegjës për udhëzimet e këtij të fundit, nëse duhet ta kryejnë apo jo transaksionin”, - thekson rregullorja. Subjektet, veprimtaritë e të cilave përfshijnë transferta parash ose vlerash, në rastin e transfertave në mbërritje kërkojnë informacione lidhur me dërguesin e parave sipas ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave”. “Në rast se ky informacion nuk paraqitet i plotë, subjektet refuzojnë kryerjen e transaksionit dhe njoftojnë autoritetin përgjegjës. Informacioni i plotë identifikues shoqëron transfertën në fazat e lëvizjes së saj nga dërguesi i parë tek përfituesi i fundit”, - thekson rregullorja. Përmirësimi i shërbimeve që ofrojnë bankat e nivelit të dytë si dhe futja e teknologjive të reja, e kanë bërë të nevojshme futjen e mënyrave më vigjilente për raportimin e rasteve të pastrimit të parave apo rrezikut të financimit të terrorizmit.

Klientët e rrezikshëm

Rregullorja përcakton edhe kriteret që i bëjnë disa klientë të rrezikshëm. Ato janë të përcaktuara në një listë të veçantë, e cila nuk është kufizuese dhe nuk zëvendëson ndonjë detyrim ligjor lidhur me raportimin e klientëve që dyshohen se kryejnë transaksione të dyshimta. Megjithatë, sipas rregullores, kategorizimi mbetet në gjykimin e vetë subjektit. Në kategorinë e klientëve futen personat e ekspozuar politikisht, organizatat jofitimprurëse, klientët offshore, klientët jorezidentë, kazinotë dhe lojërat e fatit, zyrat e këmbimeve valutore, trustet, shoqëritë që merren me import/eksport, personat fizikë tregtarë, tregtarët e floririt dhe metaleve të çmuara, nëpunësit, pensionistët. Ndërkaq, klasifikimi i transaksioneve sipas rrezikut që paraqesin bëhet duke gjykuar mbi mundësinë që transaksioni të përdoret nga klienti, me qëllimin e pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit, ose me qëllim që të përziejë paratë e paligjshme me të ardhurat e ligjshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›