Bankat, presion BSH për të ulur normën bazë të interesit
Fabiola Çela
Banka e Shqipërisë duhet të ulë sërish normën bazë të interesit. Aktualisht norma bazë e interesit është 5.75 për qind, por sipas bankave që operojnë në vend, kjo normë duhet të jetë më e ulët. Ndërkohë që bankierët kanë parashikuar që në muajt në vijim niveli i inflacionit do të jetë më i lartë.
Vrojtimi
Gati 15 banka janë bërë pjesë e një vrojtimi të kryer nga banka e Shqipërisë, lidhur me normën bazë të interesit, normën e pritur të inflacionit dhe kursin e këmbimit. Konkretisht 10 banka, nga 15 që bënin pjesë në vrojtim, kanë qenë të mendimit se Banka e Shqipërisë duhet të ulë sërish normën bazë të interesit. Sipas tyre, norma bazë repo duhet të jetë më e ulët se 5.75 për qind. Ndërkohë katër banka ishin të mendimit se norma e interesit nuk duhet të ndryshonte, pra të jetë në këtë nivel që janë aktualisht. Vetëm një bankë kishte kërkuar që norma bazë e interesit të ishte në nivelin prej 6 për qind. Ndërkohë pavarësisht opinionit të bankave, në mbledhjen e fundit të këshillit mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë vendosi që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, pra 5.75 për qind. Një vit më parë norma bazë e interesit ishte 6.25 për qind. Në mbledhjen e parë të këtij viti, Banka e Shqipërisë vendosi që të ulë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin e 5.75 për qind.
Inflacioni
Në muajt në vijim inflacioni parashikohet të jetë në intervalin 2.9-3 për qind. Në vrojtimin e kryer nga Banka e Shqipërisë, pjesa më e madhe e bankierëve që janë pyetur në lidhje me normën e pritur të inflacionit janë shprehur se kjo normë do të luhatet në intervalin 2.9 deri në 3 për qind. Ndërkohë që për muajin shkurt niveli i inflacionit ishte 1.9 për qind, dukë qenë kështu edhe poshtë cakut të vendosur nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë. Por për muajt në vijim bankierët kanë parashikuar një rritje të nivelit të inflacionit. Gjithsesi kjo rritje do të jetë brenda kufirit të vendosur nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria.