E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vata: Skocezët duhet të na kenë frikë

 

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare me banim në Skoci, Rudi Vata, i ka thënë ish-trajnerit të tij, Billi Stark se do të shohë një përplasje mjaft të fortë të mërkurën, kur Shpresat e Shqipërisë, do të përballen me Skocinë. Pasi ka ndjekur me kujdes ndeshjen e parë, Vata është shprehur: “Skuadra shqiptare është shumë më e mirë nga ajo që u shfaq të shtunën e kaluar. Kuqezinjtë mund të bëjnë përmirësime të mëdha, të shkojnë në Skoci dhe të fitojnë atje në ndeshjen e dytë. Ekipi i Skocisë ishte mjaft solid dhe ka shumë lojtarë të talentuar, por ata nuk duhet të mendojnë se ndeshja e dytë do të jetë diçka e lehtë dhe si të mbaruar. Për mendimi tim, kjo përballje e dyfishtë nuk mund të quhet e mbaruar, sepse Shqipëria do të jetë shumë e rrezikshme në transfertë, më shumë se sa u shfaq në fushën e vet. Shqiptarët do të jenë shumë të karikuar, pas asaj që ndodhi në ndeshjen e parë dhe do të jenë të dëshpëruar për të rivendosur nderin në vend kur të luajnë në Skoci. Një shqiptar, të cilit i është cenuar nderi apo është ‘plagosur’, është gjithmonë shumë i rrezikshëm, kështu që unë pres që Skocia të ketë shumë punë në ndeshjen e të mërkurës. Personalisht mbeta i zhgënjyer nga Shqipëria U-21, por ua them me siguri të plotë se ata do të jenë shumë më të rrezikshëm për shkak të humbjes në fundjavë”. Rudi Vata, i cili jeton aktualisht në Skoci, ka vijuar: “Ajo nuk ishte Shqipëria e vërtetë. Kuqezinjtë janë shumë më të fortë se kaq. Ata nuk janë një ekipi i madh, por kjo nuk do të thotë se nuk dinë të luajnë futboll. Lojtarët mezi presin të rregullojnë imazhin në mesjavë, kështu që Skocia është e paralajmëruar. Në ekip ka ende disa lojtarë të sezonit të kaluar, por janë lojtarët e rinj ata të cilët duhet të ngjiten në skenë. Pas ndeshjes së parë lojtarët do të merren vesh më mirë me njëri-tjetrin, kështu që pres një Shqipëri më të mirë të mërkurën”, - përfundoi Vata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›