E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapiteni Lala e ka me sulmin: Të shënonin!

 

Jorgis Memo

Momentet e veçanta gjatë lojës, janë “thembra e Akilit” për Shqipërinë. Kështu mendon kapiteni i Kombëtares, Altin Lala. Mesfushori i kuqezinjve flet me nota kritike për lojtarët e repartit ofensiv, ndërkohë që i del në mbrojtje zgjedhjeve taktike të trajnerit Ari Han. “Sulmuesit maten me gola. Ndaj Hungarisë ata nuk bënë asgjë”, kështu është shprehur ndër të tjera 33-vjeçari, në një intervistë për “Panorama”. Gjithashtu, “veterani” shprehet edhe për ndeshjen e radhës me Danimarkën.
Altin, duket se Hungaria u kthye në një makth këtë edicion. Dy humbje të paparashikuara, apo jo?
Futbolli është goli dhe ne këtë ndeshje të dytë, përsëri nuk arritëm të shënonim. Edhe në Hungari goditëm shtyllën me Skelën dhe Agollin, por nuk e gjetëm rrjetën. Këtë herë nuk është se nuk patëm raste, por ja që konkretizimi ishte i dobët. Nëse do të kishim realizuar të parët mund të kishim fituar edhe lojën. Në fund të fundit, ky është futbolli.
Domethënë, këtë herë përgjegjësia kryesore bie mbi sulmuesit?
Përgjegjësitë pas çdo humbjeje dhe fitoreje janë në grup. Nuk mund të flasim për emra të veçantë, sepse në këtë ndeshje ne gabuam edhe në mbrojtje. Por duke folur për sulmuesit, unë mund të them se ata maten me gola. E rëndësishme është që ai lojtar, që luan në këtë repart, të shënojë, apo të jap asist. Kjo gjë nuk u realizua me sukses.
Për çfarë të vjen më tepër keq pas kësaj humbjeje?
Ajo që më mërzit është fakti që hungarezët nuk luajtën më mirë se ne. Atyre iu doli loja dhe pas kalimit në avantazh u munduan të ruanin rezultatin me të gjitha mënyrat. Në një farë mënyre, kjo Hungari duket sikur na vodhi pikët, ndoshta me meritë. Tani është e kotë të themi se nuk ishte më lart se ne, sepse na ka marrë 6 pikë. Kjo nuk na falet.
Çfarë nuk shkon në lojën e Shqipërisë, kur i duhet fitorja?
Nëse flasim për ndeshjen me Hungarinë, ne nuk e ndërtuam lojën ashtu siç e mendonim. Si ekip duhet të lëviznim më shumë, me top dhe pa top. Pas kësaj ndeshjeje, u vu re se edhe kombinimet tona nuk ishin të sakta. Duhet të lidhemi më mirë me njëri-tjetrin, për të krijuar raste. Për mendimin tim, momentet e veçanta gjatë lojës mbeten për ne “thembra e Akilit”.
Ndryshimet e shpeshta që ka bërë trajneri Han, në pozicionet e disa lojtarëve, kanë ndikuar në lojë?
Nuk besoj se ndikuan lëvizjet e trajnerit. Në syrin tim, vendosja e lojtarëve në fushë nuk ishte e keqe. Gjithsesi, në 20 minutat e para duhet ta pranojmë që e kishim të vështirë të ndërtonim lojën. Kundërshtari luajti më shumë me topa të gjatë, duke shfrytëzuar sulmuesin Torgele. Kjo mënyre loje e hungarezëve, ishte shumë e vështirë për ne.
Të mërkurën me Danimarkën, çfarë prisni?
Unë shpresoj që në Danimarkë të arrijmë ndonjë pikë. Pavarësisht se është shumë e vështirë dhe të gjithë kujtojnë se çdo gjë ka mbaruar, ne do të mundohemi të japim maksimumin. Të tregojmë se i kemi mundësitë për të bërë diçka.

Ari Hani
Mund të mos jetë një takticien i mirë, apo ndonjë trajner për të qenë, por fjalët e mira nuk i mungojnë asnjëherë. Ari Hani, mëngjesin e djeshëm ka kërkuar t’i rrisë sadopak moralin lojtarëve, në prag të ndeshjes shumë të vështirë me Danimarkën të mërkurën në mbrëmje. “Djema, duhet ta lëmë pas humbjen. Sot është ditë e re dhe duhet të mendojmë për të ardhmen. Duhet të mendojmë për Danimarkën, sepse duam që të bëjmë ndonjë surprizë atje”, u ka thënë trajneri i përfaqësueses shqiptare lojtarëve dje në mëngjes. Megjithatë, burime pranë ekipit bëjnë të ditur se apeli i trajnerit për pak më shumë alegri e vetëbesim, pas humbjes dëshpëruese me Hungarinë të shtunën, nuk ka pasur efekt tek të gjithë. Skuadra u nis dje nga aeroporti i Rinasit drejt Danimarkës në orën 15:10. Udhëtimi zgjati rreth gjashtë orë. Kuqezinjtë do të akomodohen në Kopenhagën, aty ku do të zhvillohet dhe ndeshja. Lorik Cana nuk ka udhëtuar me ekipin, për shkak se nuk mund të luajë për këtë takim. Ai u ndëshkua me karton të verdhë në sfidën e së shtunës dhe ky ishte i dyti për të gjatë këtij edicioni.

Lorik Cana
Do të mungojë në Danimarkë, duke hapur kështu një “gropë” në ekipin kombëtar dhe bërë me dhimbje kokë trajnerin Ari Han. Lorik Cana nuk u ndahet kartonëve, edhe pse këtë herë e ka pranuar që gjyqtari holandez e ndëshkoi me meritë. “Në tërësinë e ndeshjes, mendoj se e meritoja një karton të verdhë, por jo për rastin kur gjyqtari më ndëshkoi”, deklaroi Cana pas ndeshjes, në një bisedë për “Panorama”. Kapiteni i Marsejës, i pyetur për faktin se gjithnjë Shqipëria nuk e arrin fitoren, atëherë kur i duhet medoemos, theksoi se për këtë duhet pritur disa vite. “Mendoj se hapin e madh, akoma nuk jemi në gjendje ta bëjmë. Duhet të presim edhe disa vite, për të parë se çfarë do të na ofrojë ky brez futbollistësh. Jemi disa lojtarë, që mund të luajmë bashkë shumë vite të tjera dhe ndoshta kjo është një nga anët më pozitive”, tha mesfushori i kuqezinjve, duke u treguar realist për mundësitë e Shqipërisë. Megjithatë, ai përsëri beson se në përfaqësuese ka lojtarë, të cilët mund të përsërisin rezultatet surprizë, si në rastin e barazimit me Portugalinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›