E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, ulet çmimi për pensionistët

 

ADI SHHKEMBI

Qeveria ul sërish çmimin e kartave të identitetit. Pak ditë pas kërkesës së opozitës për dhënien e kartave falas dhe rënies së numrit të aplikuesve për dokumentin e ri, Ministria e Brendshme bën të ditur urdhrin e fundit, i cili është edhe i dyti brenda pak kohe për sa i përket çmimit të kartave. Kreu i këtij dikasteri, Bujar Nishani bëri të ditur dje se për të ndihmuar të gjithë qytetarët që nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit, do të vendoset një çmim i ri për disa prej kategorive, të cilat për të përfituar nga kjo ulje duhet të aplikojnë brenda datës 1 maj.
Çmimi i ri
Sipas ministrit Nishani, të gjithë pensionistët që kanë pension minimal në qytet, dhe të gjithë pensionistët e fshatit, (përfshi edhe ata që kanë aplikuar më parë) që do të aplikojnë në 30 ditët e ardhshme, deri më 1 maj do ta blejnë kuponin në zyrat postare për 300 lekë të reja. Në të njëjtën kohë, për të gjithë studentët, për të gjithë ata që përfitojnë ndihmë ekonomike për shkak të papunësisë, si dhe për të gjithë ata që deri më datë 28 qershor 2009 mbushin 18 vjeç dhe votojnë për herë të parë, të cilët kanë aplikuar deri më tani apo do të aplikojnë deri më datën 1 maj 2009, çmimi i kartës do të jetë 200 ( dyqind) lekë. Gjithashtu ministri Nishani bëri të ditur se për të gjithë personat para dhe tetra-plegjikë, si dhe për personat e verbër, letërnjoftimet do të jepen falas. Një tjetër pikë e urdhrit të fundit të Ministrisë së Brendshme ka të bëjë me përparësinë në procesin e pajisjes me dokumentin e ri. Kështu, pasi iu dha përparësi qytetarëve që nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit, Nishani bëri të ditur se duke filluar nga 1 prilli deri më 1 maj do të lejohen të aplikojnë vetëm qytetarët që nuk janë të pajisur me pasaportë. Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme, në gjithë vendin numërohen rreth 730 mijë qytetarë që nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit, ndërkohë që nga 12 janari kur ka nisur procesi i pajisjes së tyre me letërnjoftimet e reja, kanë aplikuar nga kjo kategori gati 150 mijë qytetarë. “Për të gjitha ato komuna, ku ende nuk ka filluar procesi i aplikimit, ky vendim do të jetë në fuqi deri më datën 1 qershor 2009”, bëri të ditur ministri Nishani. Gjatë gjithë këtij procesi, që nga miratimi i vendimit të qeverisë për pajisjen e qytetarëve me karta, kjo është hera e dytë që ndërhyhet në çmimin e këtij dokumenti. Rreth dy muaj më parë studentëve iu ul çmimi i kartave, nga 1200 lekë në 500 lekë, kurse të gjithë pensionistët e merrnin kartën për 800 lekë të reja. Ndërkohë punonjësit e administratës kishin një ulje prej 200 lekësh nga çmimi fillestar.

Çmimi i kartave të identitetit

Ulja e muajit janar
500 lekë për:
- Çdo anëtar të familjes, që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe që është mbi 18 vjeç
- Personat me aftësi të kufizuar
- Personat, që përfitojnë pagesë papunësie
- Studentët
800 lekë për:
- Të gjithë personat që përfitojnë pension pleqërie
- Personat në ngarkim të pensionistëve, të cilët janë pa të ardhura
1000 lekë për:
- Punonjësit e institucioneve buxhetore, me pagë mujore bruto jo më të madhe se 35 000
Ulja e muajit mars
300 lekë për:
për të gjithë pensionistët që kanë pensionet minimale në qytet  dhe të gjithë pensionistët në fshat.
200 lekë për:
për të gjithë studentët, për të gjithë  ata që përfitojnë ndihmë ekonomike për shkak të papunësisë, si dhe për të gjithë ata që deri më datë 28 qershor 2009 mbushin 18 vjeç dhe votojnë për herë të parë.
Falas për:
për të gjithë personat para dhe tetra-plegjikë si dhe për personat e verbër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›