Meta: Kryeministri,jo kusht për koalicionin me PS
Aristir Lumezi
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama”, kreu i LSI-së, Ilir Meta, i jep përgjigje shumë dilemave dhe pikëpyetjeve të ngritura brenda të majtës dhe para fushatës zgjedhore. Meta sheh si prioritet të LSI-së dhe të tijën në këto zgjedhje largimin e Berishës nga drejtimi i vendit, ndërsa çështjen e kryeministrit të ardhshëm, si një zgjidhje që do të vijë nga konkurrimi dhe vota e shqiptarëve. Sipas tij, “askush nuk mund të vendosë kushte egoiste dhe ta kthejë këtë në një sfidë personale, por duhet të bazohet në filozofinë e ndarjes së përgjegjësive dhe të gjithëpërfshirjes”. Kreu i LSI-së shprehet se kjo parti ka dhënë disa nga ofertat e saj qeverisëse, ku në krye qëndron punësimi dhe shprehet se është e prirur që të bashkëpunojë mbi bazën e programeve dhe vlerave dhe jo të bashkimeve sasiore. Lidhur me çështjen e kartave të identitetit, Meta shprehet se asnjëherë nuk ka pasur iluzion se me Berishën nuk mund të bëhen reforma, ndërsa e sheh procesin e pajisjes me karta të paarritshëm në kohë fizike. Ai kërkon gjetjen e zgjidhjeve alternative dhe i bën apel OSBE-ODIHR të angazhohen në këtë proces.
Z.Meta, ka pasur mjaft komente ditët e fundit për deklaratën tuaj se do të bëni koalicion me PS pas zgjedhjeve. Pse vjen në këtë moment ky qëndrim dhe a mund të presim lëvizje të reja në këtë drejtim?
Rëndësia, numri i komenteve por edhe i abuzimeve që i janë bërë kësaj deklarate, më duket tejet i ekzagjeruar po të kemi parasysh normalitetin e saj. Është gjëja më normale që një parti e majtë e progresiste si LSI të deklarojë se pas zgjedhjeve, nëse nuk mundet të marrë aq mandate sa duhen për të qeverisur e vetme, të bëjë koalicion me Partinë Socialiste.
LSI është forca më e spikatur në opozitë me Berishën, që prej tragjedisë së Gërdecit një vit më parë. Nuk ka shkatërruar as Kushtetutën, as Kodin Zgjedhor, as ligjet që dëmtojnë pavarësinë e Prokurorisë në bashkëpunim me maxhorancën e Berishës, që ka kërkuar dorëheqjen e tij që të nesërmen e Gërdecit e në vazhdimësi. Më duhet të theksoj gjithashtu se ne kemi një identitet politik të qartë të majtë e progresist, që reflektohet edhe në programin thellësisht social që kemi përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Pse duhet të çuditet ndokush kur deklarojmë se pas zgjedhjeve do të nxjerrim në pension politik Sali Berishën dhe do të qeverisim me qeveri të majtë e progresiste?!.
Deklarata juaj për koalicion me PS pas zgjedhjeve erdhi pas protestave të Gërdecit, ku ra në sy pjesëmarrja më e madhe qytetare në mitingun e PS, si dhe firmosja e një marrëveshje mes LSI dhe kompanisë amerikane për zgjedhjet. A gjeni ju lidhje mes këtyre ngjarjeve?
Ju siguroj se nuk ka asnjë lidhje. Dua gjithashtu të saktësoj se, ndonëse pjesëmarrja e mbështetësve të LSI në mitingun përkujtimor të Gërdecit ishte nga më të mëdhatë që kemi përjetuar, pavarësisht se si u paraqit nga disa media të censuruara, ajo nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë asnjëherë një provë force për të treguar mbështetjen elektorale të një partie. Ajo tregohet në ditën e votimeve. Të rëndësishme në një ngjarje të tillë janë mesazhet politike që jepen. Mesazhi ynë ishte ai që kemi një vit që e themi me forcë “Berisha Ik!”. Pra është e qartë se nuk ka absolutisht ndonjë kontradiktë midis këtij mesazhi “Berisha ik!” dhe deklarimit tim për koalicion me PS pas zgjedhjeve. Ka një vazhdimësi të qëndrueshme në qëndrimet tona politike, dhe ju siguroj që kështu do të jetë edhe në të ardhmen.
Kryeministri Berisha në prononcimet e tij publike e ka lënë të hapur mundësinë e një koalicioni me PS apo me LSI, për të shmangur përsëritjen e zgjedhjeve. Si e shikoni ju këtë skenar dhe megjithë historinë e vështirë të marrëdhënieve tuaja me PS, a e shihni të mundur një qeveri të qëndrueshme koalicioni me PS?
Deklarimi i Berishës për koalicione të mundshme me forca të majta, është një arsye pse u rrit aq shumë edhe ndjeshmëria ndaj deklarimit tim. Berisha e ka si metodë e stilit të tij politik të bëjë diversione të tilla, sigurisht me qëllimin e vetëm të përçajë të majtën dhe të bëjë ç’është e mundur të evitojë humbjen e tij të paevitueshme në zgjedhjet e 28 qershorit. Pra, deklarata e Berishës nuk mund të jetë më mirë se një provokacion i keq. Së pari, sepse Berisha në asnjë rrethanë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në pozitën për të detyruar vendim-marrjet e LSI-së. Integritetin tim dhe të LSI-së në marrjen e vendimeve nuk e gjej me vend ta evokoj këtu, pasi ai është shumë i qartë. Së dyti, Berisha në asnjë rrethanë nuk do të jetë forcë fituese në zgjedhjet e ardhshme, pasi keq-qeverisja e tij ka sjellë vetëm padurimin e qytetarëve që ai të largohet sa më parë nga pushteti. Së treti, deklarata e Berishës i shkoi përshtat për ta manipuluar dhe ekzagjeruar edhe disa pseudo të majtëve, të cilët kanë dëshpërimin dhe mendjeshkurtësinë se kështu mund të dëmtojnë LSI-në. Pse nuk analizuan këta mundësinë e koalicionit PS-PD, të hipotetizuar edhe nga disa figura drejtuese në PS?
Përsa i përket qëndrueshmërisë së koalicionit paszgjedhor me PS, kjo do të varet nga qëndrimet e të dy palëve. Unë mund t’ju siguroj se LSI nuk bëhet pjesë e koalicioneve sasiore thjesht për arsye të sasisë. Në çdo rast bashkëpunimi ynë brenda të majtës do të jetë programor dhe në bazë vlerash. Në çdo koalicion të tillë, do të jenë disa prioritete programore, realizimi i të cilave do të jetë kusht kryesor për realizimin efikas dhe të suksesshëm të tij. Kështu, punësimi do të jetë pa asnjë dyshim një prioritet dhe kusht themelor për Qeverinë e ardhshme, apo miratimi i p/ligjit për moshën e tretë, që është një angazhim madhor i LSI-së para përfaqësuesve të kësaj shtrese të nderuar sociale, që ka kontribuar në ndërtimin e shumë veprave madhore në vend dhe sot jeton e braktisur nga shteti. Zgjidhja e plotë, përfundimtare e krizës energjetike, pa dëmtuar mjedisin, do të jetë në krye të axhendës së LSI në qeverisjen e ardhshme. Kujtoj këtu që nismat ligjore të LSI-së fillojnë që me p/ligjin e saj për nxitjen e investimeve në energjetikë. Një angazhim tjetër madhor i LSI, do të jetë nxjerrja e bujqësisë nga braktisja, prapambetja dhe kolapsi. Për këtë LSI ka një program shumë realist, mbështetës për subvencionimin të çdo linje prodhimi, modernizimin e infrastrukturës dhe mbi të gjitha krijimin e mundësive që prodhimi i fermerëve të mos kalbet dhe shpërdorohet, duke thelluar varfërinë e tyre. Hapja e mijëra vendeve pune në bujqësi, është pjesë e programit tonë integral në bujqësi.
Arsimi dhe shëndetësia janë prioritete madhore tonat, ku cilësia në to dhe përmirësimi rrënjësor i infrastrukturës së tyre do të ecin paralelisht e në mënyrë të ndërthurur.
Aleancat brenda të majtës tashmë janë të qarta dhe duket se do të shkohet me dy koalicione në zgjedhje, koalicioni i udhëhequr nga LSI dhe ai i PS me aleatët e saj. Ku mendoni se dallojnë këto dy koalicione nga pikëpamja e ofertës politike dhe cilat janë disa arsye kryesore që populli i majtë duhet t’u zgjedhë ju dhe jo koalicionin e PS?
Në fakt, sistemi zgjedhor, ka krijuar një mundësi të mirë për të majtën, të konkurrojë me dy koalicione, të paraqesë dy oferta të ndryshme politike, dhe të mos humbasë asnjë votë si e majtë në tërësi, pavarësisht se për cilin koalicion votohet. Pra qytetarët do të përqendrohen tek alternativa që i paraqet njëri apo tjetri koalicion dhe te besueshmëria e lidershipit të tij. Në këto zgjedhje, kryefjala e ofertës sonë do të jetë punësimi. I gjithë programi ynë është organizuar në mënyrë të tillë që t’i krijojë mundësi dhe shërbejë qytetarëve për punësim, sepse punësimi dhe kthimi te puna është mënyra e vetme që ne mund të luftojmë varfërinë e rritur në vitet e qeverisë Berisha, dhe të sigurojmë një jetë dinjitoze. Propozimet tona për zhvillimet e sektorëve prioritarë si bujqësia, turizmi apo shërbimet, arsimimi profesional, politikat tona fiskale e ekonomike në tërësi, do të kenë si qëllim kryesor krijimin e mundësive për punësim. Kemi dëgjuar shpesh të flitet për këtë temë nga forca të ndryshme politike, të cilat edhe për punësimin nuk kanë shkuar përtej demagogjisë dhe fjalëve të bukura, duke u munguar pikërisht veprimi konkret. Veprimi konkret është ndryshimi themelor që ne kemi me të tjerët. Njerëzit janë të ngopur me fjalë dhe premtime. Ata duan veprim. Është koha për veprim. Historia politike e imja personale dhe e forcës politike që drejtoj është prova e gjallë se dimë të veprojmë. Mandati im kryeministror i viteve 1999-2001 ka pasur tipar të spikatur pikërisht realizimin e projekteve konkrete, të rrugëve, të punësimit, të bizneseve të reja, të sigurisë e të rendit publik. Pra, veprimi, realizimi i premtimit është thelbi i politikës sonë.
Opozita ka bërë të qartë shqetësimin e saj për procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Kryetari i PS-së madje ka shkuar larg dhe e sheh që tani të kompromentuar procesin. A keni besim se më 28 qershor të gjithë qytetarët që do duan të votojnë do jenë të pajisur me letërnjoftime elektronike dhe në rast se jo, çfarë zgjidhje mund të ketë? A është i përjashtuar një skenar si ai i certifikatave në zgjedhjet lokale të 2007?
Ka qenë një miopi politike për këdo që ka besuar se Sali Berishës mund t’i besohet për të bërë reforma, aq më pak atë zgjedhore, se ai kishte garanci edhe në realizimin e projektit të madh të pasaportave elektronike, kaq themelor për një proces normal zgjedhor. Për mua nuk ka pasur asnjëherë dyshim se Sali Berisha do ta shtynte procesin e dhënies së këtyre dokumenteve përtej limiteve kohore të realizimit. Prandaj kemi kërkuar që në 2005-ën realizimin e reformës zgjedhore dhe të gjithë elementëve të tjerë të domosdoshëm, si lista e zgjedhësve dhe letërnjoftimet elektronike. Aktualisht jemi para një fakti kur nuk ka kohë fizike për të shpërndarë këto letërnjoftime apo karta te të gjithë qytetarët. Kostoja e tyre është një element tjetër tepër pengues. Ne kemi dhënë tashmë propozimet tona për subvencionimin e kostos së kartave nga qeveria por reagimi prej saj është tepër i ngathët. Ka vend për t’u gjetur forma alternative për të angazhuar qytetarët në marrjen e kartave, dhe sidomos të asaj kategorie që nuk ka as pasaporta, dhe kështu rrezikon mundësinë të votojnë. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe e qeverisë dhe duhet të jetë prioritet madhor i saj. Lënia e procesit zgjedhor në dorë të certifikatave, do të ishte një aventurë që do të komprometonte jo vetëm zgjedhjet e ardhshme, por, siç kanë paralajmëruar partnerët tanë evropianë, vetë procesin e integrimit në BE.
Në kushtet kur përballemi me një situatë të tillë me shpërndarjen e kartave elektronike, çfarë mendoni se duhet bërë për të shpëtuar procesin zgjedhor?
Ka akoma mundësi për të vepruar. Propozimi i fundit për të ulur çmimin e kartave për disa kategori qytetarësh është një hap në drejtimin e duhur, por jo i mjaftueshëm për të kaluar pengesën. Është e nevojshme të jepen propozime konstruktive që e shtyjnë procesin përpara. Tashmë ka edhe një institucion që është ngarkuar me monitorimin e përgatitjeve zgjedhore. Ky është Komisioni përkatës parlamentar. Duhet të shohim se çfarë zgjidhjesh konstruktive do të na japë ky Komision, i cili operon mbi premisën e konsensusit PD-PS për reformën zgjedhore. Po kështu, është e nevojshme të angazhohen edhe institucione të tilla si OSBE/ODIHR, që gjithashtu bekuan reformën zgjedhore të PD-PS dhe u shprehen të sigurt për garancitë që jepte ajo për zgjedhje të lira e të ndershme. Është e nevojshme të vlerësojmë çdo propozim për veprim, pasi dështimi i këtyre zgjedhjeve do të ketë një kosto shumë të madhe për vendin, që nuk mund të mbulohet nga çfarëdo përfitimi zgjedhor i kujtdo partie fituese.
A është kusht për koalicionin paszgjedhor me PS, që ju të jeni kryeministër, apo është kushti tjetër, që të mos jetë Rama kryeministër?
Çdo politikan shqiptar, që beson se mund të zgjidhë problemet e vendit dhe të shqiptarëve dhe që ka kurajon dhe përgjegjshmërinë ta marrë këtë përgjegjësi, ka të drejtën legjitime të aspirojë dhe të kandidojë për kryeministër. Por nuk është dëshira e askujt, ajo që vendos përfundimisht se cili do të jetë kryeministri i vendit, përveçse votës së qytetarëve shqiptarë, e cila jep verdiktin për çdo aspiratë të tillë.
Për mua është më e rëndësishme largimi i Berishës nga drejtimi i vendit, më 28 qershor, sepse kjo do të thotë largimi i keqqeverisjes së tij dhe pasojave të rënda sociale dhe ekonomike që ai ka shkaktuar, si dhe krijimi i një hapësire të re qeverisjeje, rrënjësisht të ndryshme nga kjo e 4 viteve.
Askush nuk mund të vendosë kushte egoiste dhe ta kthejë këtë çështje në një sfidë personale, pasi vendi ka nevojë për një alternativë të re, e cila bazohet në filozofinë e ndarjes së përgjegjësive dhe në gjithëpërfshirje.
Ndaj besoj se duhet të presim votën e 28 qershorit, për t’i dhënë përgjigje më të saktë pyetjes suaj. Unë e pres me padurim 28 qershorin, si një ditë që do të hapë hapësira të reja dhe të pafund për të gjithë shqiptarët. Modeli i kastave ka përfunduar, vendi ka nevojë për gjithpërfshirje dhe integrim të talenteve dhe kontributeve pozitive të të gjithëve.
Z.Meta, prej disa ditësh shohim një mënyrë tjetër komunikimi në publik tuajin e të LSI-së. A ndodh kjo thjesht për arsye taktike e elektorale?
Vetëm diçka ka ndryshuar në komunikimin e LSI-së, që është vendosmëria e kësaj partie për të përcjellë mesazhin dhe alternativën e saj drejt qytetarëve, duke injoruar provokimet e atyre që duan të fusin LSI-në në debate artificiale e të padobishme. LSI është përfaqësuesja e vetme e një alternative të qartë e konkrete, për të marrë e zgjidhur realisht problemet e qytetarëve. Ne do mbetemi të fokusuar gjithmonë te zgjidhjet që kërkojnë shqiptarët, duke i izoluar në publik sherrxhinjtë e vjetër e të rinj të politikës, të cilëve interesat e shqiptarëve nuk u interesojnë aspak.
Zëvendëspresidenti i kompanisë së njohur amerikane Greenberg Quinlan Rosner u shpreh optimist për suksesin e LSI-së më 28 qershor ndërsa disa sondazhe të kohëve të fundit nuk janë kaq optimiste për LSI-në. A besoni se suksesi i LSI-së është i mundur sot tre muaj para zgjedhjeve të 28 qershorit?
Edhe lidershipi i LSI-së edhe partnerët tanë amerikanë jemi absolutisht të bindur për suksessurprizën e LSI-së më 28 qershor. Ne kemi sondazhet tona tepër profesionale, që tregojnë jo vetëm një rritje të dukshme e të qëndrueshme të LSI-së por edhe të PSV ‘91 dhe të të Gjelbërve në disa qytete kryesore. Ne ecim gjithnjë e më të sigurt në rrugën tonë drejt fitores së 28 qershorit, ndërsa përpjekjet për t’i dekurajuar shqiptarët për të votuar alternativën tonë, e cila është jo vetëm e Treta, por edhe e Vërteta, po sjellin efekte bumerang për porositësit e vërtetë të sondazheve të falsifikuara. 28 qershori po afron dhe ne hedhim çdo ditë hapat e duhur drejt fitores.