Gati aplikimi për karta identiteti në burgje
TIRANE – Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve duket se kanë gjetur më në fund zgjidhjen, që do t’u mundësojë pajisjen me karta identiteti personave të dënuar dhe të paraburgosur. Edhe pse mediatikisht është folur për një “projekt” që do të mundësojë pajisjen e të burgosurve me karta identiteti, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazmend Dibra, saktëson se në fakt nuk bëhet fjalë për një projekt, por për zbatimin e një detyrimi ligjor. “Ligji thotë se çdo qytetar do të pajiset me kartë identiteti dhe ne do të zbatojmë atë. Të premten e javës që shkoi patëm një takim të frytshëm me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe besoj shumë shpejt do të fillojë aplikimi”, tha kreu i Burgjeve Gazmend Dibra për gazetën “Panorama”. Sipas tij, në takimin me Ministrinë e Brendshme ai ka bërë prezent faktin se 90 për qind e burgjeve kanë rrjet interneti. “Aplikimi për kartë identiteti kërkon në vend rrjetin e internetit dhe ne e kemi në 90 për qind të burgjeve. Në takim është përcaktuar se kompania prodhuese e kartave do të mundësojë instalimin e antenave për linjën e internetit dhe në 10 për qind të burgjeve që nuk kanë akses në këtë rrjet”, tha më tej Gazmend Dibra. Sipas tij, burgjet do të zbatojnë me përpikëri dhe deri në fund ligjin për pajisjen e shtetasve me karta identiteti para fushatës dhe procesit zgjedhor, që pritet të mbahet në fund të qershorit të këtij viti. “Nuk mund të flasim për afate, por para zgjedhjeve të dënuarit do të kenë karta identiteti. Aplikimi do të bëhet brenda burgjeve, sipas rregullave të sigurisë dhe ne i ofruam dhe do t’i ofrojmë Ministrisë së Brendshme, bashkëpunimin maksimal për këtë”, sqaroi drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazmend Dibra. Më parë, Avokati i Popullit denoncoi pamundësinë e paraqitjes së të dënuarve në zyrat e aplikimit për karta identiteti. tr.so