E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat rrisin kreditë për bizneset, i tkurrin për individët

Bankat e nivelit të dytë kanë rritur kreditin për bizneset por kanë tkurrur ato për individët. Rritja e kreditimit ka ardhur si rezultat i rritjes së besimit të bankave në sektorin e biznesit. Burimet nga banka e Shqipërisë bënë të ditur se është përmirësuar ndjeshëm niveli

i besimit të biznesit dhe konsumatorëve. Sipas vrojtimit të radhës së Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të vitit 2010 treguesi i tendencës ekonomike shfaqi shenja përmirësimi  dhe u rrit me 5.7 pikë përqindjeje. Rritja u ndikua kryesisht nga një kthesë pozitive e besimit në sektorët e industrisë dhe të ndërtimit, krahasuar me nivelin e tyre shumë të ulët gjatë vitit 2009. Nga ana tjetër, ndikim negative dha rënia e besimit të konsumatorëve. Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 5 pikë përqindjeje gjatë tremujorit të parë të vitit 2010, duke ju afruar kështu mesatares së tij afatgjatë. Përmirësimi i besimit të bizneseve të industrisë reflekton vlerësimin më pak negativ të prodhimit dhe të punësimit si dhe nga rënia e inventarëve. Treguesi i besimit të ndërtimit  është rritur me 7.7 pikë përqindjeje, por duke qëndruar gjithsesi 10.7 pikë përqindjeje nën mesataren e tij afatgjatë. Kërkesa dhe punësimi në ndërtim janë vlerësuar më pak negativisht dhe kjo kontribuar në përmirësimin e treguesit të besimit të sektorit. Treguesi i besimit të shërbimeve ka regjistruar një rritje të lehtë me rreth 0.9 pikë përqindjeje, por niveli i tij aktualisht qëndron 2.9 pikë përqindjeje nën mesataren e tij afatgjatë. Përmirësimi i balancave të gjendjes financiare dhe situatës së punësimit luajtën rolin kryesor në rritjen e treguesit agregat për sektorin e shërbimeve. Por ndërkohë, balanca për gjendjen e përgjithshme ekonomike, vijon të vlerësohet negativisht nga bizneset e këtij sektori. Treguesi i besimit të konsumatorit  ra me 2.4 pikë përqindjeje. Niveli i këtij treguesi, i cili ka vijuar prirjen rënëse që nga tremujori i tretë i vitit 2009, aktualisht zbriti poshtë mesatares së tij afatgjatë. Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë ka evidentuar se gjatë vitit 2009 është rritur numri i kredive të këqija. Sipas raportit 8.2 për qind e kredive klasifikohen të kija. Ndërkohë që një vit më parë u regjistruan 5 për qind kredive me probleme. Ndërsa në periudha tremujore të dhënat  zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kreditë e këqija janë rritur në tremujorin e tretë të vitit, duke arritur në 10 për qind të totalit nga 8 për qind që ishin në tremujorin e dytë të këtij viti. Rritja progresive e kredive me probleme ka nisur që në vitin 2007 dhe vijon në pësojë vetëm rritje.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›