E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat shkelin rregullat, mungon transparenca ndaj klientit

Autori i Lajmit: Redaksia
Bankat e nivelit të dytë kanë mungesë të theksuar transparence me klientin vëren Banka e Shqipërisë. Në vëzhgimin e bankës qendrore vërehet se, drejtuesit e bankave tregtare në vend nuk respektojnë rregulloret, vendimet dhe ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”. Rezultatet e dala nga inspektimet e kryera shfaqin një sërë problemesh jo pak serioze për sistemin. Pa dhënë numër të rasteve, bankave dhe pasojave, Banka e Shqipërisë pranon zyrtarisht se janë shkelur 11 rregullore, udhëzime, manuale, si dhe vet ligji “Për bankat”, që cilësohet si “kushtetuta” e sistemit financiar në vend. Fillimi i vitit 2009 paraqitet më pozitiv, krahasuar me vitin 2008, por Banka e Shqipërisë nuk nguron të thotë se vigjilenca për çdo të papritur është në maksimum. Në këtë situatë, guvernatori Fullani kërkoi nga të 16 bankat informacione të plota ditore dhe javore. Inspektimet u rritën, paralelisht me to edhe mbikëqyrjet e rekomandimet. Rregulloret u forcuan dhe ligji u ndryshua, me qëllim krijimin e imunitetit nga kriza financiare në tregjet e huaja. Pavarësisht të gjitha këtyre masave, si dhe kontaktit të vazhdueshëm, bankat nuk i janë “bindur” plotësisht kreut të Bankës së Shqipërisë

Banka e Shqipërisë deklaron se shkeljet e kryera nga bankat nuk kanë dhënë ndikim material në situatën e ekspozimit të rreziqeve. Ligji “Për bankat” nuk është respektuar si duhet. Sipas BSH-së, shkeljet janë konstatuar për shkak të mos evidentimit të saktë të grupeve të lidhura të biznesit, që në momentin e marrjes së vendimit për mbështetje me kredi.

Preferencat në dhënien e kredive

Banka e Shqipërisë nuk jep detaje, por nënkupton faktin se bankat japin kredi duke u nisur nga njohjet, sesa nga kushtet. Të tilla raste quhen “klientë preferencialë”, pasi në historikun e tyre janë treguar të rregullt dhe potencialë. Për BSH-në, pak rëndësi ka kjo, sesa kushtet dhe rregullat që duhen respektuar nga bankat. Tjetër shkelje lidhet me rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë. Sipas Bankës, niveli i rrezikut të kredimarrësve është shqyrtuar në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa raste është konstatuar respektim jo i drejtë i kësaj rregulloreje, veçanërisht për sa i përket klasifikimit të kredive dhe nivelit të provigjioneve (efekteve nga kursi i këmbimit). Për BSH-në, respektimi i rregullores “Për administrimin e rrezikut të kredisë” ka shumë rëndësi dhe për këtë fakt, çdo ditë kërkon nga bankat të dhënat rreth gjendjes. Rregullorja “Për pozicionet e hapura valutore” përbën një shqetësim tjetër për Bankën e Shqipërisë, pasi në disa raste sporadike evidentohen shkelje, të cilat nuk kanë dhënë efekt të madh negativ, për faktin se masat kanë qenë të shpejta.

Pastrimi i parave

Rregullorja “Për mbikëqyrjen e transaksioneve bankare në rrugë elektronike” dhe “Për parandalimin e pastrimit të parave”, që është shkelur nga bankat, lidhet më shumë me “pastrimin e parave”. Sipas Bankës së Shqipërisë, te rregullorja e parë, shikohen mangësi që lidhen me plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe kohën e dorëzimit të raportit në BSH. E dyta lidhet me parandalimin e transaksioneve të dyshimta, ngritjen dhe respektimin e strukturave, trajnimin e personelit, raportimet, etj., që në pjesën më të madhe të vitit 2008, nuk janë respektuar. Udhëzimi “Për transparencën e operacioneve dhe shërbimeve bankare”, ose më saktë, operacionet dhe shërbimi bankar, lidhen me informacionin që bankat duhet tu japin klientëve, si për kontratën e kredisë, llojit, shpenzimet, etj., të cilat, nuk janë marrë në konsideratë të plotë nga bankat. Gjatë inspektimeve, Banka e Shqipërisë ka vënë theksin te njoftimi që bankat duhet tu bëjnë klientëve për rreziqet ndaj të cilave ekspozohen gjatë periudhës së shlyerjes së kredisë.

Të gjitha bankat detyrohen
të informojnë klientët

Të gjitha bankat e nivelit të dytë, që operojnë në vendin tonë, duhet të zbatojnë rregulloren gjatë dhënies së kredive. Ato detyrohen që të realizojnë një llogaritje të normave të interesit me anë të një metodike të caktuar. Ky interes duhet që ti bëhet i ditur klientit dhe të jetë pjesë e kontratës që duhet të lidhet me bankën. Prandaj klienti duhet të bëjë kujdes edhe gjatë leximit të kontratës. Rregullorja e nxjerrë nga BSH-ja mungonte deri tani për rregullimin e marrëdhënieve kontraktuale bankë-klient (kredimarrës). Për këtë arsye është nxjerrë edhe një rregullore tjetër për marrëveshjet e riblerjes, që pritet të vihet shumë shpejt në funksionim. Klientët e bankave shpesh nuk marrin informacionin e duhur për shkak të mos bërjes transparente nga ana e punonjësve të bankës të kushteve të dhënies së një kredie.

Ky lajm është publikuar: 04/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›