E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: “Ekonomia ende e rrezikuar nga kriza, të vlerësohen dëmet”

Autori i Lajmit: Redaksia
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani deklaroi se ka ardhur momenti që ekonomia të vlerësojë dëmet anësore që i janë shkaktuar nga ndërhyrjet e qeverive dhe bankave qendrore nën presionin e krizës.

Guvernatori Fullani

Në një takim rajonal të organizuar nga Banka e Shqipërisë, me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe FMN-së, Fullani u shpreh se ka ardhur koha që qeveritë e rajonit të ngadalësojnë stimulin fiskal për të mos vënë në rrezik stabilitetin makroekonomik. Guvernatori Fullani ka ripërsëritur faktin se Shqipëria, ashtu si edhe pjesa tjetër e vendeve fqinjë rrezikohet ende nga kriza. Fullani u shpreh se kriza ka qenë një alarm zgjimi. Ne e pranuam këtë gjë në takimin tonë në Uashington gjatë muajit prill, me politikëbërësit e nivelit të lartë nga rajoni, nga BE dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. “Tashmë që ne kemi arritur të shmangim krizën, duhet të nisim vlerësimin e dëmeve anësore që ka shkaktuar reagimi ynë ndaj presioneve të krizës. Në këtë drejtim, është shumë e rëndësishme të vlerësojmë jo vetëm qëndrueshmërinë afatgjatë të ekuilibrave të rajonit, por duhet të analizojmë me kujdes dhe efektivitetin e politikave tona afatshkurtra. Unë e vlerësoj thelbësore planifikimin dhe zbatimin e lëvizjeve tona të së ardhmes në mënyrë inteligjente për kthimin e krizës në drejtim të kundërt, drejt normaliteteve të reja”, u shpreh Guvernatori. Fullani pranoi se, ende nuk jemi jashtë rrezikut. Është e rëndësishme, tha ai, të sigurohemi që oreksi i madh fiskal i vitit të kaluar që karakterizoi tërë rajonin, nuk do të vazhdojë të jetë fenomen mbizotërues i këtij normaliteti të ri. Aksioni ynë i momentit duhet të ndalet imtësisht në gjykimin e thellë të secilit prej elementëve të veçantë të regjimeve të politikave tona, duke filluar që nga hartimi i politikave monetare e duke vazhduar me ankorimin e tyre si dhe ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për efikasitet më të madh të politikës monetare në të ardhmen. Ai u shpreh më tej se, në fushën e ndërtimit të kapaciteteve, ne duhet të gjykojmë cilat janë prioritetet kryesore dhe ku janë boshllëqet që duhet të plotësohen nëpërmjet iniciativave në drejtim të seminareve e aktiviteteve trajnuese, si dhe në shkëmbimet e eksperiencave jashtë vendit. Kjo do të na bëjë të gjykojmë me maturi mbi hartimin dhe zbatimin e politikës fiskale, ndërmjet të tjerave, si dhe mbi mënyrën se si politikat përshtaten me proceset e brendshme të bashkërendimit. Gjithashtu, ne duhet të identifikojmë nevojat në fushat e politikave të kujdesshme monetare, fusha ku edhe vendet anëtare të CEF nxitin shtrirjen e aktivitetit. Kjo është axhenda e plotë dhe jam i sigurt se nuk do të jetë hera e fundit që ne takohemi për të shkëmbyer pikëpamjet tona lidhur me këto çështje.

Takimi

Konferenca, e cila do të zgjasë dy ditë, do të ketë në qendër të saj diskutimet mbi linjën e re që duhet të ndjekë politika fiskale dhe ajo monetare në situatën e re pas krizës. Drejtuesit e Bankës së Shqipërisë kanë diskutuar me ekspertë të vendeve të rajonit lidhur me ndikimin e krizës në ekonomi.

Ky lajm është publikuar: 04/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›