E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virusi AH1N1, shënohet viktima e parë në Shqipëri

Autori i Lajmit: Redaksia
Një 45-vjeçar nga Sukthi i Durrësit ka humbur jetën dje, pasi ishte infektuar nga gripi i derrit. Ky rast shënon viktimën e parë me virusin AH1N1 në vendin tonë. Lajmi është konfirmuar nga drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Pipero. Sipas tij, viktima vuante nga tumori në prostat dhe kjo ka ndikuar në vdekjen e tij pas infektimit edhe me virusin AH1N1.
Gjatë muajit nëntor është shënuar numri më i lartë i rasteve me gripin e derrit. Statistikat nga Ministria e Shëndetësisë flasin për rreth 200 të infektuar nga virusi i gripit të derrit. Mosha mesatare e rasteve të prekura në total është 21 vjeç, ndërsa e rasteve të ditëve të fundit është 17.5 vjeç. Shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në kryeqytet.
Ndërkohë të rrezikuar janë edhe emigrantët shqiptarë në Greqi ku gripi i derrit në shtetin helen po përhapet në hapa galopantë. Ministria e Shëndetësisë greke ka raportuar se brenda një jave janë dyfishuar rastet e vdekjes në Greqi nga virusi i gripit A/H1N1, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 5 persona duke e çuar numrin e viktimave në 25. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, bëhet fjalë për një 54-vjeçare me probleme serioze shëndeti, një 80-vjeçare me mosfunskionim në veshka dhe diabet, një 70-vjeçare me probleme në pankreas, një 48-vjeçar obez, ndërsa ajo që ka shkaktuar shqetësim, është vdekja e një 40-vjeçareje që nuk vuante nga asnjë sëmundje. Eshtë rasti i tretë i vdekjes së një pacienti pa historik të rënduar mjekësor. Ndërkaq janë mbi 33 persona që kurohen në gjendje serioze në repartet e reanimacionit. Prej ditës së mërkurë, mbi 220 shkolla në Athinë dhe Pire janë mbyllur krejtësisht, asnjë shkollë nuk funskionon tashmë në Prefekturën e Janinës, ndërsa në gjithë vendin në shumicën e shkollave ka qindra klasa të mbyllura. "Në këto momente vaksinimi konkludon rezultativ dhe kjo për arsyen se vështirësitë i kemi përpara, dimrin e kemi përpara dhe vaksinimi krijon një mburojë shpëtimi për shëndetin publik",- tha Mariliza Ksenojanakopulu, ministre e Shëndetësisë në Greqi. Prej datës 1 dhjetor ka filluar edhe vaksinimi masiv i popullsisë dhe deri në orët e fundit janë vaksinuar mbi 125.000 persona.

Ky lajm është publikuar: 04/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›