E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish- të përndjekurit, dëmshpërblimi ndahet për 2 mijë persona

Autori i Lajmit: E.D
Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politikë është shpërndarë vetëm për 2 mijë persona. Edhe pse Këshilli i Ministrave ka miratuar mbi 5 mijë emra, sipas listave emërore që plotësojnë të gjitha kriteret e dokumentacionit për tërheqjen e shumës financiare, rezulton se dëmshpërblimi nuk ka kaluar për të gjithë. Sipas të dhënave nga familjarë të ish-të përndjekurve pranë Institutit të të Përndjekurve Politikë dhe konfirmimit të gjashtë të burgosurve politikë, të cilët kanë hyrë në grevë urie prej më shumë se një muaji, dëmshpërblimi nuk është shpërndarë në përputhje me listat emërore të miratuara nga qeveria. Përpos kësaj ata konfirmojnë se ka edhe vonesa në aktivizimin e lekëve në bankë nga 20 ditë deri në 1 muaj. “Nuk besojmë se vendimi i miratuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë për dëmshpërblimin e 1500 ish-të përndjekurve të tjerë do të shpërndahet brenda vitit 2009, madje as brenda vitit 2010. Në total janë 27 mijë të përndjekur që u takon dëmshpërblimi financiar, ndërkohë që janë miratuar afërsisht 5 mijë emra, ku edhe prej tyre vetëm 2 mijë vetë e kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit. Pikërisht për shpërndarjen korrekte të dëmshpërblimit financiar, ne kemi mbi 1 muaj që kemi hyrë në grevë dhe asnjë sinjal pozitiv nuk po na vjen nga qeveria. Ne kemi pasur kontakte me deputetë të PD-së, me përfaqësues të ambasadave të huaja në vendin tonë, të cilët na kanë premtuar se do të hyjnë në negociata me qeverinë, por deri më sot asnjë prej kërkesave tona nuk është realizuar. Gjendja jonë shëndetësore sa vjen e përkeqësohet, këtu ka edhe të moshuar, të cilët po sakrifikojnë jetën e tyre në mbrojtje të interesave dhe të të drejtave të të gjithë shtresës së ish-të përndjekurve politikë”, - tha dje për Ballkan Petrit Shkuza, një prej 6 të burgosurve politikë, në grevë, i cili vjen nga Shkodra. Buxheti i vitit 2010 nuk parashikon dëmshpërblim për familjet e të ekzekutuarve pa gjyq dhe për të internuarit. Deri më tani janë mbi 3500 kërkesa të realizuara dhe të kaluara me vendim qeverie për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Së bashku edhe me 1500 emrat e rinj bëhen në total 5 mijë emra, për të cilët pretendohet se do të mbyllin këstin e parë të marrjes së dëmshpërblimit për vitin 2009, ndërkohë që ka mbetur më pak se një muaj kohë për të ndarë dëmshpërblimin për afro 3 mijë emra të tjerë. Sipas procedurës, shuma e llogaritur për dëmshpërblimin e çdo të persekutuari do të transferohet në një llogari të veçantë në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues do të bëhet nga Ministria e Financave dhe të derdhet në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë e të përzgjedhura, në përputhje me nenin 33, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, të ndryshuar.

Ky lajm është publikuar: 04/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›