Bankat shtetërore, qeveria ka gati planin për të hapur dy të tilla
Qeveria është duke sajuar institucione të reja shtetërore me qëllim privatizimin e tyre pas disa vitesh. Fjala këtë herë është për krijimin e dy bankave të reja shtetërore, që do të krijohen këtë vit dhe më pas do të funksionojnë në varësi të qeverisë derisa kjo të gjejë mundësinë për t’i privatizuar. Bëhet fjalë për një bankë shtetërore bujqësore dhe për një tjetër bankë që do të hapet nga Posta Shqiptare dhe që si synim kryesor do të ketë sektorin e shërbimeve. Pesë vjet pas privatizimit të bankës së fundit në pronësi publike në Shqipëri dhe pak ditë pas shitjes së paketave të fundit shtetërore të aksioneve në disa banka, qeveria shqiptare duket e bindur se mund të fitojë nga privatizimi i këtyre institucioneve nëse ato marrin udhë të mbarë.
Ministria e Financave publikoi dy ditë më parë njoftimin në kërkim të një partneri strategjik privat për "First Albanian Financial Development Company", një shoqëri tërësisht në pronësi qeveritare. FAF-DC është trashëgimtare e Fondit të Zhvillimit të Zonave Malore, një institucion qeveritar që gjatë viteve të fundit ka financuar projekte të ndryshme me kredi që kanë pasur për synim zhvillimin e zonave të thella malore. Ministria e Financave thotë se dëshiron të zgjerojë kapitalin e kësaj kompanie përmes “partnershipit” privat dhe kërkon që të interesuarit të jenë të gatshëm të financojnë 8 milionë euro kapital dhe i ofrohet që në një fazë të dytë të blejë pjesën tjetër të aksioneve të qeverisë. Investitori strategjik i interesuar duhet të jetë i gatshëm të mos e tërheqë investimin e vet për të paktën tre vjet dhe duhet të ketë kapital më të madh se 50 milionë euro. Fondi i Zhvillimit të Zonave Malore u krijua në vitin 1999 si një fondacion në pronësi shtetërore, që do të kishte rolin e një institucioni financiar jobankë. Fondi fillestar u dha nga një kredi e Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor, një agjenci e OKB-së. Në kohën kur MAFF u krijua, Shqipëria kishte një treg bankar shumë pak të zhvilluar, në maxhorancë në pronësi shtetërore dhe që shumicën dërrmuese të aktivitetit e kryente në Tiranë. Në fund të vitit 2008, MAFF kishte 5100 klientë në mikrokredi me një total portofoli kredish prej 16.5 milionë dollarësh dhe me kredi mesatare në shumën 3200 dollarë për klient. Me një kapital prej 12.1 milionë dollarësh dhe me asete totale prej 17.8 milionë dollarë, MAFF qe në gjendje të realizonte fitime prej 527 mijë dollarësh. Norma e kredive të vonuara për më shumë se 30 ditë ishte 4.1 për qind, shifër kjo pothuajse e barabartë me mesataren e tregut të kreditimit në vend. MAFF ka 27 zyra dhe 100 punonjës. Kreditë e saj shkojnë përgjithësisht për aktivitet bujqësor dhe blegtoral. Por, ekzistenca e një institucioni financiar nën pronësi shtetërore në kushtet e sotme të tregut bankar, duket shumë e panevojshme, sipas ekspertëve. Bankat private kanë arritur të zgjerojnë rrjetin e ofrimit të shërbimeve të veta në të gjithë vendin tashmë. Ndonëse MAFF është një shembull se si një institucion financiar mund të jetë i suksesshëm edhe nën pronësi shtetërore, eksperienca e vendit me bankat nën pronësi shtetërore gjatë dekadës së parë të tranzicionit, krijon një shije të hidhur. Nga tre banka që u themeluan në vitin 1993, njëra u likuidua tërësisht në vitin 1998, ndërsa dy të tjerave iu mbuluan humbjet e pësuara nga kreditimi politik prej parave të taksapaguesve.
15 Prill 2009