E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit japin alarmin për kolaps, 4 mijë apartamente pa shitur, 700 kompani pa punë

Kolapsi rrezikohen të lërë pa punë mbi 5 mijë individë. Mbi 1 mijë shoqëri ndërtimi nuk kanë marrë licencën për 2009-n

Ervin KOÇI

Sektori i ndërtimit duket se është futur vërtet në një krizë të thellë dhe alarmin për këtë po e japin vetë ndërtuesit. Sipas tyre, nga ky kolaps që ka mbërthyer sektorin kryesor të ekonomisë së vendit rrezikohen të mbesin të papunë mbi 5 mijë individë dhe të falimentojnë dhjetëra firma ndërtimi që i paguajnë shtetit çdo vit miliarda lekë taksa. Gjatë vitit të kaluar (2008), në ndërtim nuk kanë kryer asnjë lekë xhiro (pra nuk kanë punuar fare) mbi 700 shoqëri ndërtimi, nga 2500 shoqëri ndërtimi të regjistruara në shkallë vendi. Akoma më problematik mbetet fakti që një numër shumë i madh apartamentesh dhe ndërtimesh kanë mbetur pa u shitur, duke bllokuar miliona euro që mund të viheshin fare mirë në qarkullim. Numri i apartamenteve të ndërtuara, që ende janë të pashitura është më i madh se 4 mijë. Aktualisht, sektori i ndërtimeve në vend po vuan seriozisht mungesën e theksuar të likuiditeteve dhe të financimeve. Së pari, kjo vjen për shkak të rënies së kreditimit bankar, sidomos për industrinë e ndërtimit. Nën efektet psikologjike të krizës financiare globale, bankat e nivelit të dytë kanë filluar të hezitojnë për të kredituar, si biznesin, ashtu dhe individët që kërkojnë të kreditohen për konsum apo për banesa. Së dyti, mungesa e likuiditeteve vjen edhe nga rënia e remitancave (të ardhurave) të emigrantëve, si burim i rëndësishëm financimi për tregun imobiliar shqiptar, me veprim të drejtpërdrejtë në nivelin e kërkesës konsumatore në ekonomi. Rënia e remitancave lidhet me faktin se ato burojnë nga ekonomitë e vendeve, të cilat tashmë kanë shpallur qartë hyrjen në fazë recesioni ekonomik. Këta janë faktorë që do të çojnë në rënien e mëtejshme të konsumit, me të gjitha pasojat e tjera zinxhir që do të vijnë në vijim.

Burokracitë

Ndërtuesit nuk po gjejnë paqe. Bllokimi i lejeve, zbatimi i ligjeve fiskale dhe së fundi kriteret e tjera për të marrë licencën e aktivitetit, e kanë futur sektorin e ndërtimit në krizë të thellë. Mbledhjet radhazi të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, duke i bërë thirrje qeverisë për më shumë bashkëpunim, nuk po gjejnë konsensus, kurse kërkesat e vazhdueshme për më shumë lehtësi fiskale nuk kanë marrë zgjidhje. Në morinë e këtyre problemeve, 1 mijë shoqëri ndërtimi nuk kanë marrë licencën për të ushtruar aktivitetin në vitin 2009, duke rrezikuar daljen nga puna të rreth 5 mijë vetave. Shkaku është bërë vendimi i qeverisë për kategorizimin e shoqërive të ndërtimit, të cilat duhet të marrin pjesë në punët publike sipas kapacitetit real të tyre. Vetë ndërtuesit e kanë pranuar rregulloren e re, me qëllimin se "pastron" nga tregu firmat fantazmë. Por zbatimi i vendimit të qeverisë nuk po kryhet në kushte të barabarta duke diskriminuar firma të ndryshme dhe duke i lehtësuar ato që kanë lidhje me pushtetin. Të gjitha këtë qëndrime janë shprehur nga Shoqata e Ndërtuesve, e cila ka lëshuar sinjalin e radhës për krizën.

Licencat

Vendimi i ri qeverisë i kategorizon firmat e ndërtimit në bazë të punëve të kryera në katër vitet e fundit. Në fillim, qeveria propozoi një afat tre vjet, por ndërtuesit sugjeruan rritjen me një vit tjetër. Pavarësisht afatit të zgjatur, një pjesë e mirë e ndërtuesve nuk mund të marrin licencë, për arsye të ndryshme, që vetë shoqata i cilëson të logjikshme. "Rreth 1000 kompani ndërtimi nuk kanë mundur të marrin licencë për kategorinë e punëve që ato kryejnë për shkak të konfuzionit me rregulloren e licencimit të miratuar nga MPPTT. E hartuar për të vënë rregull në kompanitë e ndërtimit, rregullorja e ka prishur këtë duke krijuar konfuzion", - ka deklaruar ditë më parë drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë, Maksim Muçi. Ndërtuesit e kanë kundërshtuar që në fillim këtë praktikë, sepse do të penalizoheshin kompani që për arsye të ndryshme nuk kanë kryer aktivitet në katër vitet e fundit. Sipas tyre, sot ka kompani që ushtrojnë aktivitet prej më shumë se 10 vitesh në vend dhe klasifikohen me këtë rregullore si të nivelit A (fillestare). Sipas vendimit, janë shtatë nivele klasifikimi të kompanive sipas vlerave në lekë të punimeve të kryera nga A- G. Ndërtuesit thonë se është e pamundur që në një sektor të tillë si ndërtimi kompani që kanë një eksperiencë minimale, por që janë mbështetur me fonde vitet e fundit të kenë kategorinë F dhe kompani që kanë më shumë se 10 vjet në treg të kenë nivelin A. Kjo, për SHNSH-në, tregon një mungesë serioziteti dhe vlerësimi për investimet e mëdha njerëzore dhe materiale që këto kompani kanë bërë për të ngritur emrin e tyre. Shoqata ankohet se qeveria ka nisur një luftë të palogjikshme ndaj tyre, në një kohë që janë kontribuuesi kryesor i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Klasifikimi paraprak i shoqërive ndërtimore sipas niveleve për çdo kategori punimesh zbatimi

A-edhe për herë të parë 0- 20 milionë lekë
B 21- 50 milionë lekë
C 51 - 100 milionë lekë
D 101 - 200 milionë lekë
E 201 - 400 milionë lekë
F 401 - 800 milionë lekë
G mbi 800 milionë lekë

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›