Procedurat për aplikimin për të përfituar dëmshpërblim
Sipas ligjit, paraqitja e kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë kryhet brenda territorit të vendit vetëm me anë të Postës Shqiptare, nëpërmjet dorëzimit nga kërkuesi të dokumentacionit dhe marrjes së lajmërimit nëpërmjet postës për lajmërim-marrjen nga Ministria. Çdo ish-i dënuar politik i regjimit komunist, familjar i viktimave të pushkatuara ose familjar brenda rrethit të caktuar në këtë ligj i të dënuarit politik, që jeton ose nuk jeton, dorëzon dokumentet në emër të të dënuarit politik, i deklaron punonjësit të postës qëllimin e dërgesës dhe pajiset prej tij me formularin tip, që i bashkëlidhet këtij ligji, ku shënohen numri i dokumenteve të dorëzuara, data dhe ora e pranimit të kësaj dërgese dhe numri i regjistrimit të saj. Formulari nënshkruhet nga punonjësi i postës dhe dërguesi në tri kopje; për dërguesin, për postën dhe për Ministrinë e Drejtësisë. Posta Shqiptare sh.a. regjistron çdo dërgesë të saj në regjistra të veçantë dhe i ruan ato sipas legjislacionit në fuqi. Dokumentacioni i dërguesit, së bashku me kopjen e formularit, për Ministrinë e Drejtësisë, i postohet kësaj të fundit. Një kopje e njoftimit të marrjes së dokumenteve i përcillet dërguesit. Aktualisht po bëhet verifikimi i emrave nga organet e Drejtësisë, në bazë të të dhënave që disponon ky institucion në lidhje me personat që do të përfitojnë në sajë të statusit. Verifikimi i emrave pritet të përfundojë brenda një kohe të shkurtër, ku mendohet që pas muajit shkurt të nisë shpërndarja për kategoritë përfituese. Gjithashtu është deklaruar se dëmshpërblimi do të jetë në bazë të kritereve të përcaktuara në ligj për të gjitha kategoritë e shpallura si përfituese. Menjëherë sapo të mbyllet verifikimi i listave do të nisë shpërndarja konkrete e dëmshpërblimit sipas kategorive përfituese dhe listave që do të depozitohen nga organet e Drejtësisë. Gjithashtu, në projektligj është përcaktuar dhe shuma që do të përfitojë çdo i burgosur politik sipas kategorisë në të cilën bën pjesë. Në bazë të këtij kategorizimi do të zbatohet dhe shpërndarja e dëmshpërblimit.
Masa e dëmshpërblimit për të burgosurit, të internuarit ose të dëbuarit politikë
Çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë.
Për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1 000 (një mijë) lekë në ditë.
Për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Dëmshpërblimi i përcaktuar në paragrafin më sipër u takon dhe familjarëve të tij, në pjesë të barabarta takuese, kur i dënuari nuk jeton më. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake.
Nga shuma që çdo i dënuar politik përfiton nga ky ligj, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme.
15 Prill 2009