E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankers Petroleum rrit investimet ne Shqiperi

Kompania kanadeze “Bankers Petroleum” ka realizuar në Shqipëri për vitin 2011 një investim prej 243 milionë dollarë, që është edhe investimi më i madh i kapitalit vjetor i arritur në vend për vitin e kaluar.
Të dhënat janë publikuar në rezultatet financiare të kompanisë për vitin 2011.  Sipas kompanisë petrolifere, gjatë 2011-ës prodhimi është rritur me 33%  krahasuar me vitin 2010, me një rritje mesatare të shitjeve me 12,784 fuci naftë në ditë, ndërkohë që ka pasur një dyfishim të të ardhurave për 148 milionë dollarë.
Vlerësimet e burimeve të naftës në vend janë rritur me 3% në 8 miliardë fuci nga 7,8 miliardë në vitin 2010. Shpenzimet kapitale të Bankers Petroleum në Shqipëri  për vitin e kaluar kanë arritur në 242 milionë dollarë me një rritje me 103% krahasuar me vitin e mëparshëm.
Ndërkohë që gjatë këtij viti Bankers ka realizuar shpimin e 84 puseve të naftës nga 55 puse në total në vitin 2010. Marrëveshjet e reja të tregut të eksporteve për vitin 2012 janë kompletuar  dhe përbëjnë një cmim mesatar të eksporteve në total me 72% të benchmarkut të naftës brent të Londrës.
Ndërsa kompania shqiptare e rafinerisë ARMO ka bërë një marrëveshje për blerjen e naftës së papërpunuar të Patos-Marinzës me një cmim mesatar për 2012-ën me 66% të Brentit. Gjithsesi marrëveshjet mbi cmimet e vitit aktual shfaqin një rritje mesatare me 7% të cmimit të naftës ndaj vitit të kaluar.
Bankers Petroleum bën me dije gjithashtu se ka përfunduar faza e parë e ndërtimit të  tubacionit të shitjes së naftës bruto që lidh Patos-Marinzën me Fierin, ndërsa aktualish vijon faza e dytë për vlerësimet mbi impaktin social dhe mjedisor për ndërtimin e tubacionit që do të lidhë Fierin me terminalin e eksporteve në Vlorë.
Në objektivat e vitit aktual kompania kanadeze ka projektuar investime në 215 milionë dollarë, të financuara nga shitjet e naftës mbi bazën e një cmimi mesatar me 90 dollarë për fuci të naftës Brent të Londrës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›