E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojka e pakenaqur ndaj reformave te deritanishme ne Greqi

Trojka nuk është e kënaqur me zhvillimet e reformave në Greqi. Gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian të një audicioni të Trojkës, komisioneri për cështjet ekonomike dhe financiare Olli Rehn ka deklaruar se ritmi aktual i reformave dhe i rregullimeve në vijim në Greqi është larg të qënit të mjaftueshëm për t’i kthyer financat publike të qëndrueshme apo për të përballuar problemet e konkurrueshmërisë. Rehn ka shtuar se si pasojë janë të domosdoshme përpjekje të tjera. Nuk duhet të ketë iluzione se në Greqi nuk do të ketë as rritje dhe as vende të reja pune pa një korrigjim të cekuilibrave ekonomikë ka theksuar komisioneri. Por njëkohësisht ka shtuar se “falë solidaritetit të shfaqur nga BE, në Greqi u shmang e keqja, pavarësisht se vështirësitë vijojnë të mbeten. Kjo situatë e krijuar në Greqi është shkak i papërgjegjshmërisë politike të akumuluar prej vitesh. Mbështetja e Europës, shmangu katastrofat sociale,” ka deklaruar Rehn. Shkak i recesionit në Greqi nuk është as Trojka dhe as masat e marra nga qeveria greke, kur dëmi ishte shkaktuar më parë, janë shprehur ndaj eurodeputetëve Rehn dhe anëtari i bordit drejtues të BQE, Joerg Asmussen duke mbrojtur veprimet e BQ dhe KE. Asmussen ka deklaruar se zbatimi i programit grek ka rrezik të lartë. "Nuk është sekret të themi, se programi grek i nënshtrohet një rreziku tejet të lartë të zbatimit", . "Programi mund të arrihet vetëm duke ulur kostot e pagave në sektorin privat dhe duke adresuar shtrembërimet në tregun e brendshëm ka deklaruar Asmussen. Pa konsensus të gjerë politik për ndryshime të dhimbshme, por të nevojshme, ka rrezik të konsiderueshëm që projekti të prishet", ka thënë ai.
Nga ana e saj Trojka ka sqaruar se "programi do të dështojë në qoftë se nuk ndalet evazioni fiskal në Greqi".
Të ballafaquar me kundërshtimet e grekëve dhe disa eurodeputetëve, kryesisht të majtë, në Bruksel, udhëheqësit e Trojkës kanë raportuar se reduktimi i pagave në Greqi është një parakusht për përmirësimin e aftësisë konkurruese të ekonomisë greke.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›