Bankia shpetohet nga BE per te paguar Ronaldon
Bankia, banka e katërt më e madhe spanjolle që rrezikonte të falimentonte do të shpëtohet nga financimet e Europës, dhe këto para Brukseli do t’i marrë nga xhepat e të gjithë europianëve. Kështu shkruan e përditshmja italiane “Corriere della sera” e cila komenton se këto euro nga taksapaguesit europianë do të shërbejnë për të paguar jo pensionistët apo spanjollët në tërsi por futbollistët e Realit të Madridit dhe të Ligës në përgjithësi, që nga Cristiano Ronaldo e Kaka. Paga super të mëdha, bëhet fjalë për 10,5 milionë euro për Mesin, 13 për Ronaldon dhe 14,8 milionë euro për Maurinhon. Pasi është pikërisht super borxhi i futbollit spanjoll prej 5 miliardë eurosh, apo 0,5 pikë përqindje i deficitit, një nga aspektet më kritike të situatës financiare të sistemit spanjoll. Për t’i barazuar këto deficite duhet të dërgohen në shtëpi një e treta e futbollistëve që luajnë në serinë A spanjolle apo të përgjysmohen pagat e Realit. Futbolli iberik për të paguar taksat dhe kontributet shoqërore i detyrohet Spanjës një miliardë euro. Ndërsa 4 miliardë janë borxhe të tjera që bankat spanjolle u kanë dhënë skuadrave në momentin qe futbolli me popullaritetin e vet zuri vend në prioritetet politike. Problemi është se të gjitha këto vrima të zeza të financimeve që ende nuk janë kthyer tashmë duhet tu merren taksapaguesve europianë, për të mbuluar shpëtimin e bankave që financojnë Ligën. Reali i Madridit është në borxh për 600 milionë euro, Barcelona për 548 milionë, Valencia ka një borxh prej 380 milionë kundrejt ardhurave shumë të pakta të realizuara nga këto skuadra prej 120 milionë. Valencia dhe Reali i Madridit janë të dyja kliente të Bankias. Caja Madrid mundësoi 76 milionë euro për të blerë Ronaldo e Kaka. Në vitin 2009 Valencia shmangu falimentin falë një super kredie të dhënë nga Bancaja, banka këto që më vonë u shkrinë në Bankia për të shpëtuar nga kreditë e këqija nga sektori imobiliar. Qeveria u angazhua pak javë më parë ta shpëtonte këtë bankë duke kapitalizuar 4 miliardë euro, ndërkohë që shmangia nga falimentimi kërkon një fond shumë herë më të madh. Dhe sic shkruan agjencia e lajmeve italiane Tgcom, këto euro do të paguhen nga qytetarët evropianë.