E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi i Europes ndaj Spanjes shenje pozitive per Greqine

Kreu i partisë socialiste greke e ka cilësuar si një shenjë të mirë për Greqinë borxhin e akorduar nga Eurozona për bankat spanjolle. Por lideri i Pasok Venizelos ka shtuar se nëse Spanja do ta kishte kërkuar më parë këtë ndihmë do të kishte krijuar probleme për Greqinë pasi nuk do të kishte sukses në marrjen e këstit të dytë të shpëtimit për borxhin e lartë publik.

“Nëse kjo krizë në Spanjë do të ishte kthyer në formë të plotë muaj më parë, pra nëse do të ishte diskutuar më herët përpara se marrëveshja jonë të miratohej, përpara se reduktimi i borxhit grek të përfundonte, përpara se të merrnim fondet për sistemin bankar, ne do të ishim në vështirësi të mëdha sepse tregu nuk do të kishte rënë dakord për uljen e borxhit. Ne do të rrezikonim të mos arrinim marrëveshjen me sektorin privat dhe do të rrezikonim gjithashtu falimentimin”-u shpreh Venizelos.

Për Evangelos Venizelos përgjigja e Europës me shpejtësi në ndihmë të Spanjës është një shenjë pozitive. Sipas tij partnerët europianë dhe FMN me këtë reagim të menjëhershëm ndaj bankave spanjolle treguan se ka një rrjet sigurie që po përgatitet për Eurozonën, duke përfshirë edhe Greqinë.

Më 17 qershor Greqia do të shkojë në votime ku do të vendoset se cila palë do të fitojë ajo që mbështet marrëveshjen me ndërkombëtarët apo pala tjetër që kërkon shkëputjen prej saj. Me frikën se edhe në këto zgjedhje nuk do të krijohet një qeveri koalicioni Venizelos ka thënë se vendi ka një nevojë urgjente për një qeveri të qëndrueshme.

‘Është shumë e qartë se qytetarët greke duan një qeveri të qëndrueshme më 18 qershor. Ata nuk duan që vendi të falimentojë. Ata e dinë se një mungesë qeverisjeje, që vijon prej më shumë se tre muaj, po dëmton vendin. Qytetarët grekë duan një qeveri që do ta mbajë vendin brenda Eurozonës dhe BE”

Sipas sondazheve më të fundit më shumë se 80% e grekëve dëshirojnë të qëndrojnë në euro. Ata janë të gatshëm të vijojnë me reformat e kursimeve vetëm që të jenë pjesë e monedhës europiane.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›