E Diel, 1 Nëntor 2026

Miliona euro nga Greqia transferohen ne Shqiperi

Kriza ekonomike dhe financiare në Greqi ka pasojat e veta negative dhe pozitive edhe për vendin tonë. Parë nga këndvështrimi i rrjedhjes së kapitalit grek në euro drejt bankave në Shqipëri nga frika e daljes prej Eurozonës, duhet të konsiderohet një shans që nuk duhet humbur. Ashtu sikurse me gjendjen e rënduar gjeopolitike në vendet arabe një vit më parë që shtuan turistët dhe volumin e punës për industrinë e tekstileve në vendin tonë, tashmë janë bankat ato që po tërheqin cdo ditë dhjetra qindra miliona euro nga bankat helene, për shkak të panikut të daljes nga euro dhe rikthimit të monedhës kombëtare, dhrahmisë. Vetëm një javë nga zgjedhjet parlamentare të 17 qershorit në Greqi, flukset e tërheqjes së depozitave nga institutet greke po shtohen cdo ditë. Burime nga mediat greke bëjnë me dije se vetëm në dy javët e fundit është vërjetur se një numër i madh klientësh kanë nisur zbrazjen e depozitave në euro, ku cdo ditë secili prej tyre ka tërhequr shuma relativisht të mëdha që shkojnë nga 80 në 100 mijë euro. Pritet gjithashtu që deri në ditën e zgjedhjeve tërheqja nga llogaritë bankare të shtohet edhe më shumë. Sipas burimeve greke, në 20 ditët e fundit kanë fluturuar nga bankat mbi 7 miliardë euro, duke e çuar shumën e përgjithshme të parave të tërhequra prej tyre brenda dy vitesh, në 80 miliardë euro. Në këto fluks tërheqjesh, të përfituara dalin edhe bankat në vendin tonë. Edhe pse nuk rezulton një e dhënë zyrtare, e dalë nga Banka e Shqipërisë, burime të sigurta pranë agjentëve te bankat private në vend, bëjnë të ditur se në pesë muajt e parë të vitit vlerësohet të kenë hyrë në depozitat e sistemit tonë të paktën 700 milionë euro. Shifra del nga raportimet që bëjnë bankat në vend, përmes buletineve për përdorim të brendshëm dhe i referohen të dhënave të aksesueshme vetëm nga Banka e Shqipërisë. Paratë e depozituara te bankat tona besohet se janë jo vetëm të emigrantëve por edhe të shtetasve grekë, që mund t’i kenë depozituar eurot në bankat bija që operojnë në Shqipëri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›