Bankierët e 7 vendeve takohen në Durrës
21/05/2005 DURRES - Janë mbledhur në Durrës bankierë të forumit Ndërballkanik të Shoqatës së Bankave, për të diskutuar rreth problemeve më të rëndësishme që ndeshin bankat rajonale në ushtrimin e aktivitetit të tyre. Në takimin e tretë të organizuar, kanë marrë pjesë bankierët e bankave të nivelit të dytë nga Greqia, Rumania, Mali i Zi, Turqia, Qipro, Sllovenia dhe Shqipëria, të cilët janë përshëndetur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Guvernatoi Fullani ka garantuar bashkëpunimin e institucioanlizuar me sistemin bankar, duke e kanalizuar atë nëpërmjet Shoqatës së Bankave të Shqipërisë. Ai ka deklaruar se sistemi financiar në Shqipëri është i karakterizuar nga një sistem bankar i mbikëqyrur dhe efektiv dhe se deri në fund të këtij viti do të shkojë në 17 numri i bankave në Shqipëri. Në fjalën e tij, Guvernatori pohoi se në Shqipëri ka 88 degë të bankave me një shtrirje të plotë gjeografike, ndërsa numërohen 100 agjenci, duke rritur në 26 për qind numrin e të punësuarve. Zhvillimi cilësor i sistemit bankar iu referua vlerësimeve pozitive të dhëna nga raportet e përgatitura nga FMN, duke e quajtur lajm të mirë. “Sistemi bankar në Shqipëri shfaqet me një nivel fitimi që ka ardhur në rritje në masën 5.1 miliardë lekë”, tha Fullani, i cili është ndaluar më pas edhe në kreditimin e ekonomisë, fushatën Anti Cash, modifikimin e bazës rregullatore të Bankës së Shqipërisë etj.