E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bankieri pirat" u zbulua nga vetë banka

VLORË/ Të arrestuarit kishin marrë biznese të ndryshme me qira, ndërkohë që po hetohet për hallkat e kaluara për marrjen e mbi 500 000 eurove


Vlorë - Biznese të marra me qira, por edhe paga jo të vogla për të punësuarit në to. Këto janë disa nga detajet që mësohen prej burimeve të policisë për "bankierin pirat", operacioni i djeshëm finalizuar nga policia e Vlorës që ka vënë në pranga dy persona. Burime nga policia bëjnë me dije se kjo është një nga vjedhjet më të mëdha të organizuara deri tani në institucionet bankare.


Edhe pse janë të rezervuar në dhënien e të dhënave për mënyrën e zhvendosjes së sistemit të të dhënave, për shkak të marrëdhënieve që ka banka me klientët, burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për një mekanizëm inteligjent të ngritur me shumë kujdes, ndërsa pritet që shumë detaje të zbardhen më tepër kur dy personat të përballen për masën e sigurisë në gjykatën e faktit.


Një bar luksoz, një hotel i marra me qira në Vlorë, holli i pallatit të sportit kanë qenë ndër bizneset që janë regjistruar në emër të shoqërisë Adrion Shpk, në emër të Fatjon Hoxhës, ndërkohë që financimet realizoheshin nga specialisti i kredive.


Burimet bëjnë me dije se punonjësit e punësuar kishin paga relativisht të kënaqshme, ndërkohë që shoqëritë janë gjendur të regjistruara tek persona që nuk kanë pasur burime të besueshme për ngritjen e tyre. Shumë shpejt personat në fjalë e kanë parë veten të fuqishëm financiarisht, si dhe invenstitorë që kanë nxituar të shtrijnë hapin në disa njësi shërbimesh dhe krijimin e shoqërive. Vetë personat nuk kanë pasur prona të qëndrueshme, ndërkohë që gjithçka që kanë pasur, ishte marrë me qira.


Hetimet mësohet të jenë kryer në bashkëpunim me bankën në fjalë nëpërmjet kontrollit të saj të brendshëm. Ata kanë thuajse 10 ditë që janë përqendruar në dokumentacionet e bankës. Ende policia nuk flet për shuma mbi të cilat është luajtur dhe përfituar, por burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për shifra mjaft të larta, mbi 500 mijë euro, çka e rendisin ngjarjen, ndër më të mëdhatë në llojin e saj.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›