Aksidentohet polici i eskortës së Bashës

Ekspertët thonë se mjeti kishte mungesë të faqeve të gomës që të ndihmuara nga shiu shkaktuan aksidentin
Polici shoqëroi Bashën në dalje të Tiranës drejt Shkodrës, në kthim motoçikleta e tij rrëshqiti
TIRANE- Aksidentohet Polici Rrugor, që drejtonte eskortën e Ministrit të Brendshëm Lulëzim Basha. Artan Pëllumbi, rreth 38 vjeç, banues në Tiranë, me punë efektiv i Policisë Rrugore të Tiranës, në rolin bazë , mbeti i plagosur rëndë një javë më parë, pasi pësoi një aksident rrugor me mjetin e tij, pak momente pasi ishte shkëputur nga eskorta që shoqëronte Ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha.
Polici i plagosur, sipas burimeve, ishte një nga motoristët që drejtonte eskortën deri pranë Doganës së Tiranës, ndërsa një motoçiklist tjetër i Policisë do ta drejtonte eskortën e Ministrit të Brendshëm Lulëzim Basha, deri në qytetin e Laçi, ku një tjetër motoçikletë policisë rrugore të Laçit do ta dërgonte atë deri afër Shkodrës, siç edhe është praktika e zakonshme e shoqërimit të personaliteteve të rëndësishme.
Pas aksidentit, polici i plagosur është dërguar në spitalin ushtarak në kryeqytet, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të plagëve të marra. Më tepër se një javë pas aksidentit mësohet se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe polici Pëllumbi, i cili mban gradën kryeinspektor ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa probeleme për jetën.
Aksidenti
Javën e kaluar kur situata e përmbytjeve në Shkodër për shkak të reshjeve të shumta dhe nga hapja e portave të shkarkimeve të hidrocentraleve që kanë kaskadat e tyre mbi Drin, ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, po drejtohej për në Shkodër për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga kjo gjendje.
Pikërisht polici i rrugores, Artan Pëllumbi, i cili patrullon me motor, u caktua të drejtojë dhe t'i hapë rrugën eskortës së ministrit të Brendshëm deri pranë Doganës së Tiranës. Pasi ka mbaruar misionin e tij, polici mori rrugën për në kthim me qëllim për të vazhduar punën e tij në patrullimin e zonave të ndryshme, sipas nevojave që paraqiteshin.
Pasi ka kaluar kryqëzimin e Laprakës, ai vazhdoi të ecte me motoçikletën e tij në drejtim të Zogut të Zi. Sapo kaloi zyrat e Komisionit Europian që ndodhen në rrugën e Durrësit, pranë një pike koncesionare të shitjes së automjeteve, motoçikeleta e policit Pëllumbi, rrëshqiti në rrugë. Gomat e mjetit, sipas burimeve të policisë, rrëshqitën të ndihmuara nga edhe nga gjendja e lagësht e rrugës.
Ndërkaq, ekspertët dhe specialistët autoteknikë të Policisë Rrugore thanë për "Shekullin", se përveç gjendjes së lagësht të rrugës, gomat e motoçikletës së policit mësohet se kishin pësuar një konsumim të plotë të tyre duke ulur edhe koefiçentin e fërkimit në rrugë. Në këtë mënyrë, sipas tyre, edhe koefiçienti i sigurisë në rrugë në këtë rast është më i ulët.
Mjekimi
Ndërkaq, pas aksidentit, polici është dërguar në spitalin ushtarak, ku pas ndihmës së marrë në urgjencë ka qëndruar një ditë në reanimacion dhe pas ndihmës së dhënë ai ka mundur t'ia hedhë dhe të kalojë rrezikun për jetën.
Pas qëndrimit të tij në sallën e reanimacionit, efektivi i rrugores, doli në një nga pavionet e traumës së spitalit ushtarak. Ndërkaq, mësohet se gjendja e policit Pëllumbi ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mjekët shprehen se gjendja e tij tashmë ka kaluar rrezikun ndonëse në momentet e para gjendja e tij ishte e rëndë. Pritet që pas riaftësimit të tij fizik dhe shëndetësor polici të rikthehet në punë.
Fishta: Do të kërkojmë informacion për rastin
Efektivi i Policisë Rrugore të Tiranës, Artan Pëllumbi, ka qenë duke shoqëruar ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha, gjatë javës së kaluar, ndërsa ai po shkonte në Shkodër, pas situatës së përmbytjeve. Pas përfundimit të detyrës, në kthim ai rrëshqiti duke humbur ekuilibrin duke marrë dhe plagë të rënda.
Shkak për aksidentin e javës së shkuar kur polici Pëllumbi, dhe për pak rrezikoi jetën, u bë moti i keq si dhe konsumimi i faqes së gomave të motoçikletës së tij. Nga përplasja e tij në asfalt, Pëllumbi mori plagë të rënda në trup, ndërsa më pas u dërgua në spital.
Fishta: Policia nuk na ka informuar për rastin
TIRANE- Kryetari i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta, në lidhje me aksidentimin e efektivit të policisë së qarkullimit rrugor të Tiranës, tha dje se rasti i bashkohet disa rasteve të tjera të ndodhura me efektivët e Policisë së Shtetit të aksidentuar, apo të dëmtuar në krye të detyrës apo gjatë kryerjes së detyrës.
Për rastin konkret ai tha se strukturat e Policisë së Shtetit duhej ta kishin njoftuar atë, për të nisur procedurat përkatëse të dhënies dhe kërkimit të dëmshpërblimit nga kompanitë private të sigurimit, ku ka qenë i siguruar mjeti i tij. Më tej ai pohoi se për rastin konkret do të kërkohen informacione konkrete nga Policia e Shtetit.
Sipas tij, ligji i ri për siguracionet e automjeteve përmban edhe një klauzolë ku shprehet qartë mbi zhdëmtimin e drejtuesve të mjeteve apo pasagjerëve që dëmtohen në aksidente të ndryshme rrugore.
Sipas Fishtës, edhe në këtë rast ai pohon se për këtë efektiv policie do të kërkohen nga Policia e Shtetit, të dhënat e sakta në lidhje me incidentin. Sipas tij, në të gjithë rastet efektivët e Policisë së Shtetit duhet të jenë të siguruar, problem për të cilin Sindikata mësohet se po punon për ta përgatitur për fillimin e vitit të ardhshëm.
Prej kohësh Sindikata e Policisë së Shtetit ka nisur përpjekjet për të siguruar primet e sigurimit për efektivët e Policisë, duke bërë që në këtë sigurimi i jetës për efektivët e Policisë të jetë një parapritë për rastet e dëmtimeve apo plagosjes së tyre në krye apo për shkak të detyrës.