Rama: Prona do shkojë tek i zoti
Aristir Lumezi
Kryetari socialist Edi Rama, premtoi dje se do rregullojë çështjen e pronave me të ardhur në pushtet. Gjatë një konference kombëtare për bujqësinë në Lushnjë, ku merrnin pjesë mbi 600 fermerë, Rama dha dy premtime kryesore që socialistët do t'i bëjnë realitet me të ardhur në pushtet. Duke e konsideruar çështjen e pronësisë si plagën më të madhe të tranzicionit shqiptar, Rama tha se "nuk mund të kemi dot kapitalizëm pa treg dhe nuk mund të kemi zhvillim të bujqësisë pa tregun e tokës. Atëherë ne e kemi shumë të qartë atë që duhet të bëjmë, mund ta bëjmë dhe padyshim do ta bëjmë". "Atë që të gjithë e kanë premtuar dhe për të cilën Sali Berisha ka marrë votat në vitin 2005 dhe që nuk e ka realizuar, ne mund dhe do ta realizojmë, inventarizimin e plotë të pronës në tërësi dhe të tokës bujqësore në veçanti dhe nga ana tjetër dhënien e certifikatës së pronësisë të çdo shqiptari e shqiptareje, që e ka fituar këtë me të drejtën Zotit dhe me forcën e ligjit dhe që për 18 vjet me radhë, nuk ka arritur ta ketë në dorë për shkak të Maliqit të radhës", tha Rama. Kreu socialist duke parë domosdoshmërinë e një reforme të thellë në bujqësi, tha dje se do merren masa konkrete për të nxitur kooperimin dhe rajonalizimin për ta futur bujqësinë në kapitalizëm. "Duke bërë përpjekje reale me masa konkrete për të nxitur kooperimin dhe rajonalizimin, pa këto të dy element, nuk mund të ketë transformim, por vetëm fjalë dhe pastaj dëshpërim, dhe sigurisht që ne nuk mund ta nxitim kooperimin në asnjë rrugë tjetër sot në Shqipërinë e lirë dhe në kushtet kur duhet ta futim bujqësinë në kapitalizëm, përveçse përmes nxitjes së interesit individual dhe të përbashkët të njerëzve", tha Rama. Kreu socialist i kujtoi dje fermerëve se kryeministri Berisha nuk mbajti asnjë nga premtimet, që u bëri atyre në programin qeverisës. "Një nga premtimet e Sali Berishës në 2005, ishte dhe karburanti për konsum bujqësor, që do të sigurohej me një çmim prej jo më shumë se 40 lek për litër për të gjithë fermerët shqiptarë. Jo vetëm që ky premtim rezultoi një tjetër nga gënjeshtrat me shumë bishta të Sali Berishës, por bishti i kësaj gënjeshtre i është bërë lak në fyt, të gjithë bujqve dhe fermerëve shqiptarë, që për shkak të çmimit të rritur stratosferikisht të karburantit, nuk kanë asnjë shpresë dhe asnjë të ardhme", tha Rama.
Premtimet e pambajtura të Berishës në bujqësi
Zgjidhje e çështjes së pronësisë mbi tokën, duke garantuar të drejtat e fituara me ligjin numër 7501
Karburant për konsum bujqësor me një çmim prej jo më shumë se 40 lekë për litër për të gjithë fermerët shqiptarë
Rihapja e një rrjeti të tërë shkollash, të profilit agrar e agro-përpunues sipas modelit amerikan
Aplikim të politikave lehtësuese fiskale, përjashtim 3-vjeçar nga tatimet për bizneset e reja agrare dhe industriale
Ulje me 20 % më pak të tatimit mbi fitimin për bizneset e orientuara në eksportin e produkteve ushqimore të mallrave të tjerë bujqësorë dhe blegtoralë