Vasili i LSI: Edi Rama të flasë me këshilltarët
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vazhduan edhe dje me akuza dhe kundërakuza në lidhje me buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili i bëri thirrje dje kryetarit të Bashkisë së Tiranës të ulet me këshilltarët dhe të diskutojë për buxhetin. "I bëjmë thirrje kryetarit të Bashkisë së Tiranës të ulet me anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe të diskutojë për këtë buxhet, sepse buxheti është i qytetarëve të Tiranës, jo i Edi Ramës, apo i punonjësve të tjerë të administratës të Bashkisë, të cilët përpiqen t'i mbushin mendjen qytetarëve, duke e konsideruar votën e LSI-së, si votë politike", tha Vasili. Përkundrazi, sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-ja nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj tepër parimor dhe luajal, qëndrim ky që i shkon përshtat interesave dhe qëllimeve të komunitetit të gjerë të Tiranës. Ai e konsideroi demagogji veprimin e drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, të cilët urdhëruan mbrëmë në orët e vona, mes një shiu të dendur punonjësit, duke u përpjekur të mbulojnë me zift gropat e shumta të ndodhura në sheshin "Skënderbej". Nga ana e saj Partia Socialiste i cilësoi spekulative deklaratat dhe lajmet se PS dhe LSI kanë bashkuar votat në Lushnje për miratimin e buxhetit të bashkisë së këtij qyteti. "Socialistet në Lushnjë, tha zëdhënësja e kryesisë, Mimi Kodheli, miratuan buxhetin e qytetarëve dhe sipas saj, dje Meta foli me gjuhën e Berishës". Kodheli u shpreh dje se votimi pro për Buxhetin e Lushnjës nuk ishte gjë tjetër, veçse votimi për buxhetin e qytetarëve dhe respektimi i kontratës së koalicionit të zgjedhjeve të 18 shkurtit me qytetarët lushnjarë. Ndërkohë, ajo cilësoi si fyerje dhe shpifje të gjitha deklaratat e kreut të LSI-së për Bashkinë e Tiranës. "Me gjuhën e vjetër të Berishës, Meta dhe Kryemadhi fyen dhe shpifën në mënyrë shembullore Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin e saj", tha Kodheli në një konferencë për gazetarët. Ndër të tjera, zëdhënësja e PS theksoi se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi rrëzuan buxhetin e Bashkisë së Tiranës, duke vënë interesin e "oborrit të tyre të vogël" mbi interesat dhe vullnetin e qytetarëve.