E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bano: Qëndrova, sepse më bindi Sanxhaku



Verdhejeshilët janë duke vazhduar periudhën e tyre përgatitore në Pogradec. Që dje, ekipi pa humbur kohë ka filluar të stërvitet me dy seanca në ditë në mënyrë që futbollistët të marrin sa më shpejt ngarkesën e duhur fizike. Trajneri Artan Bano ka mbetur shumë i kënaqur nga lojtarët gjatë punës 4 javore të zhvilluar në Lushnje. Për "Panorama Sport", i pari i pankinës lushnjare do të pohonte: "Punuam për afro 4 javë në qytetin tonë e mendoj se kemi bërë gjithçka mirë. Këto ditë do të shënojnë dhe kulmin e përgatitjeve. Tashmë do të zbresim dy herë në fushën e lojës, në seancën e paradites e të pasdites. Duke parë se ngarkesat sa vijnë e shtohen, unë do të kërkoj impenjim maksimal nga futbollistët për t'u stërvitur me përkushtim, sepse vetëm kështu mund ta përballojnë mirë sezonin". Lushnja vijon merkaton verore dhe është në kërkim të lojtarëve që do të plotësojnë ekipin pas largimeve të ditëve të para të korrikut. Dy të larguarit e fundit janë Topi e Mërtiri, që kanë gjetur akordin me beratasit. Pas rikthimit të Dyrmishit si president i Tomorrit, që vuri në dyshim edhe të ardhmen e trajnerit Bano, ka ende lojtarë nga verdhejeshilët që duan të shkojnë te beratasit. Megjithatë, Lushnja nuk është dobësuar dhe Bano thotë: "Projekti i Sanxhakut për të qenë unë në drejtim të Lushnjës, dashuria që kam për këtë qytet e po ashtu edhe misioni që lamë përgjysmë sezonin e kaluar, më bënë të vazhdoj punën me këtë ekip. Së bashku me Sanxhakun jemi në bisedime me disa futbollistë, të cilët po kërkojmë që t'i afrojmë pranë ekipit". Ndërkaq Topi dhe Mërtiri nuk janë stërvitur me Lushnjën, teksa kanë kërkuar dhe lejet e kalimit. Të dy lojtarët mund të jenë pjesë e Tomorit, por për mbrojtësin fierak ka dhe një interesim nga Teuta. Gjithsesi një gjë duhet pasur parasysh, tashmë këta dy lojtarë konsiderohen të ikur, ashtu sikurse dhe Klodian Arbëri e Bubeqi. Megjithatë lushnjarët janë të gatshëm për të formuar një skuadër më të fortë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›