E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyndje të huajsh, por te Laçi asnjë nuk ka bindur



Ai që ka ngritur zërin se skuadra ka nevojë të përforcohet akoma ishte trajneri Stavri Nica, i cili dje ka pasur në dispozicion dhe dy futbollistë të tjerë ballkanas. Ka ndodhur kështu, pasi formacioni bardhezi nuk ka treguar vlera bindëse në testin e mesjavës me kavajasi. Edhe pse reparti i mbrojtjes është përforcuar me Lecin, Dokun dhe Imerajn, përsëri ka probleme, sepse e ka pasur të vështirë të përballojë stuhinë e sulmeve verdhezi. Megjithatë, vetë Nica ka fajësuar edhe repartet e tjera, që sipas tij nuk kanë bërë paraqitje dinjitoze. Gjithsesi pista kroate, por dhe ajo braziliane nuk është se kanë ofruar ndonjë gjë pozitive për Laçin. Së paku deri më tani, pasi me ardhjen e dy futbollistëve të tjerë serbë mund të ndodhë që ata të jenë më të përshtatshëm për Laçin se sa kroatët, apo brazilianët, që kanë javë që provohen me kurbinasit. Eksperimentet e shumta me këta futbollistë, edhe pse mund të dështojnë, tregojnë se laçianët janë të interesuar për të formuar grupin dinjitoz, i cili do të përballojë kampionatin e vështirë të Kategorisë Superiore. Ndërkohë dy seancat e djeshme, të kryera në Mavrovë, janë fokusuar kryesisht në marrjen e ngarkesave dhe kronometrimit të disa vrapimeve me gjatësi të mesme. Informacionet që vijnë nga kampi bardhezi theksojnë se skuadra është në kërkim të një testi tjetër miqësor, i cili në fakt nuk do të luhet në Mavrovë, por në Laç. Pikërisht ndaj Burrelit të Kategorisë së Parë. Ardi Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›