E Diel, 1 Nëntor 2026

Kampioni i Evropës pa patentë, bën tragjedi



Kampioni i Evropës për U-17 në peshë-ngritje, Hysen Pulaku, përplaset në mes të qytetit të Elbasanit. Goditja e fortë e dy makinave ka shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e 4 të tjerëve, mes tyre dhe 17-vjeçarit Pulaku. Aksidenti tragjik u shënua rreth orës 01:30, në vendin e quajtur "kryqëzimi i Dinamos". Sipas policisë, mjeti "Golf 4" me targë C 652 IT që drejtohej nga Hysen Pulaku ishte me shpejtësi të madhe. Ai është përplasur fuqishëm me makinën "Daewoo", me targa të huaja, në të cilën udhëtonte një familje që kthehej nga dasma, e drejtuar nga 50-vjeçari Bedri Venari. Si pasojë e aksidentit mbeti i vdekur në vend Thanas Koçi, 56 vjeç, si dhe u plagosën rëndë bashkëshortët Bedri dhe Anila Venari, 50 dhe 39 vjeç, gjithashtu dhe djali i tyre 5-vjeçar. Të parit që i është dhënë ndihma e parë ka qenë Hysen Pulaku. Ai është transportuar menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit nga dy të rinj që janë ndodhur rastësisht në vendin e aksidentit. Ndërsa fëmija 5 vjeç së bashku me prindërit e tij janë transportuar pak më vonë drejt spitalit po nga kalimtarë të rastit. Në mjetin "Daewoo" mbeti viktimë Thanas Koci. Për të nuk ka qenë i mundur shpëtimi nga vdekja, pasi shasia e kishte goditur atë në trup. Ndërsa pasagjerja që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit, Anila Venari, kishte mbetur e bllokuar nga këmbët për shkak të deformimit total të pjesës anësore të mjetit. Si pasojë ishte e pamundur nxjerrja e menjëhershme e saj nga makina, sepse llamarina i kishte bllokuar këmbët. Edhe pse policia mbërriti menjëherë në vendngjarje ka qenë e pamundur nxjerrja e saj për ta dërguar në spital. 39-vjeçarja shpeshherë kalonte gjendje të fikëti, ndërsa qytetarë që ndodheshin në vend mundoheshin ta ndihmonin atë. Menjëherë policia ka kërkuar ndihmën e shërbimit zjarrfikës, i cili me të mbërritur në vend nisi punën për të nxjerrë gruan 39-vjeçare. Nxjerrja e saj jashtë mjetit ka ndodhur vetëm pas një ore e gjysmë. Në gjendje të rëndë shëndetësore, gruaja është dërguar menjëherë në spitalin e qytetit. Ndërkohë, trupi i pajetë i 56-vjeçarit është nxjerrë pas gati 3 orësh nga mjeti dhe më pas është çuar në morgun e qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›