E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF: Tirana t’i shlyejë paratë Plakut



Sebino Plaku do të
marrë pagesat e pa
shlyera nga klubi i Tiranës. Komisioni i Disiplinës vendosi që klubi bardheblu të paguajë detyrimet që ka ndaj sulmuesit. Më pas, ai do të mblidhet sërish pas një jave për të marrë vendimin përfundimtar në lidhje me çështjen e largimit të tij. Ndërkohë Plaku në lidhje me vendimin u shpreh: " Isha sot për të marrë vendimin. Pashë që nuk kishte asnjë përfaqësues të klubit të Tiranës. Kjo më krijon idenë që ata kanë hequr dorë. Them që vendimi i marrë sot nga Komisioni i Disiplinës ishte një përgjigje në heshtje ndaj Tiranës. Besoj se tani jam më afër Flamurtarit" Kështu sulmuesi ka fituar betejën e parë me Tiranën.
Vendimi - "Duke qene se pretendimet e lojtarit Sebino Plaku për zgjidhje të kontratës kanë lidhje me mos shlyerjen e pagesave për disa muaj nga klubi, përpara se Komisioni të marrë një vendim ne lidhje me të, ky institucion i lë klubit KF "Tirana" një javë kohë, duke nisur nga sot për të përmbushur detyrimet kontraktore të pagesave ndaj lojtarit". Me këtë vendim, KD mbylli mbledhjen e djeshme pas kërkesës së bërë nga futbollisti Sebino Plaku. Kështu, duket se sulmuesi do të marrë paratë e prapambetura nga klubi. Bardheblutë i detyrohen atij një shume prej 15 milionë lekë. Por gjykimi në lidhje me largimin e tij nga Tirana do të merret të premten e ardhshme. Lojtari ishte nën kontratë me klubin bardheblu. Ai u transferua nga Dinamo gjatë janarit në sezonin 2009-2010. Presidenti i Tiranës, Halili, deklaroi se largimi i Plakut nuk është i rregullt, pasi atij ende s'i ka mbaruar kontrata. Por lojtari vendosi të ikte pas problemeve financiare në klub.
çështja - Pasi nuk po arrinte dot të merrte një zgjidhje nga klubi i Tiranës, sulmuesi Sebino Plaku vendosi që t'i drejtohej FSHF-së për t'i dhënë fund këtij problemi. Disa takime që ai kishte bërë me drejtuesit e klubit kishin ngelur pa përgjigje. Nisur nga kjo, para tetë ditësh, ai depozitoi kërkesën në këtë institucion. Futbollisti u shpreh se ishte i detyruar ta bënte këtë veprim. Me vjen keq që po bëj kështu, por u them tifozëve të Tiranës që unë nuk mund të vazhdoja në këtë gjendje. Nuk mund ta prisja më Tiranën", - deklaroi ai. Pas kësaj, lojtari u drejtua menjëherë në Ohër, ku qëndronte skuadra e Flamurtarit, e cila po kryente fazën përgatitore. Futbollisti prej kohësh kishte nisur kontaktet me klubin kuqezi. Vlonjatët i kishin bërë atij një ofertë për të qenë pjesë e tyre dhe palët kishin rënë parimisht dakord. Megjithatë, Plaku ende priste një përgjigje nga Tirana në lidhje me të ardhmen. Ai u aktivizua në katër ndeshjet e luajtura në paraeliminatoret e Ligës Evropiane, ku bëri një paraqitje të mirë. Por mosmarrëveshjet në klub dhe problemet financiare kishin bërë që ai të mendonte seriozisht largimin nga ekipi gjatë katër muajve të fundit. Në një situatë të tillë dhe me gjendjen financiare jo të qartë, Plaku vendosi që të largohej nga klub bardheblu. Edhe pse para se të ndërmerrte vendimin, ai kishte zhvilluar disa takime me drejtuesit për të gjetur një zgjidhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›