Starton Liga 1, Lioni sërish favoriti kryesor
Kampionati francez është i pari mes atyre prestigjiozë në Evropë që nis aventurën e tij për sezonin 2010-2011. Një kompeticion ku vitet e fundit ka rritur ndjeshëm rivalitetin e tij, duke thyer edhe dominimin disavjeçar të Lionit. Skuadra si Marseja, PSG-ja dhe Bordoja janë të gatshme të luftojnë për trofeun e kampionit sivjet, pasi kanë ruajtur yjet e tyre dhe mbi të gjitha kanë bërë përforcime të rëndësishme. Në fakt, favoritët kryesorë për të triumfuar janë cilësuar pikërisht djemtë e Klod Puelit.
Lioni – Janë skuadra që shikohet si pretendente kryesore. Ndryshe nga rivalët e tjerë, ata jo vetëm që kanë ruajtur pothuajse të gjithë yjet e vetë, por kanë bërë edhe përforcime të një niveli të lartë. Vazhdojnë të kenë një buxhet shumë të lartë. Pas një paraqitje të shkëlqyer vitin e kaluar në Ligën e Kampioneve, ku shkuan deri në gjysmëfinale, sivjet duan që më parë të sigurojnë titullin kampion, pasi u mungon prej disa vitesh. Gjatë merkatos së verës ka ardhur një sulmues me shumë peshë si Xhimi Briand, ndërsa kanë transferuar mesfushorin Bodmer për te PSG. Govu dhe Klerk janë larguar nga ekipi, pasi u ka përfunduar kontrata.
Marseja – Kampionët në fuqi të Francës janë gjithashtu një “kockë” e fortë në garën për titull. Trajneri Didier Deshamp vazhdon të drejtojë pothuajse të njëjtët futbollistë, madje me disa blerje të vlefshme. Vetëm Bakari Kone është shitur duke shkuar në Arabi, ndërsa Morientes dhe Bonart janë larguar si futbollistë të lirë, për shkak se u ka përfunduar kontrata. Ndërkohë që në klub ka ardhur Ajevu, Samasa dhe Aspilikueta.
Bordoja – Largimi i Lorant Blankut nga drejtimi i skuadrës është një lëvizje që mund të ndikojë negativisht. Gjithsesi, trajneri i ri Zhan Tigana ka vendosur të ruajë të njëjtin grup. Përveç sulmuesit Shamak, asnjë futbollist i rëndësishëm nuk është larguar. Ndërkohë zhirondinët kanë afruar lojtarë cilësorë nga kampionati vendës si Ajite, Diabate, Dykase dhe Saviç.
PSG-ja – Klubi kryeqytetas dëshiron të fitojë titullin sivjet. Presidenti i klubit nisi një fushatë blerjesh verën e kaluar dhe e cilësoi si “projektin që do i çojë te titulli”. Sivjet duken më të maturuar dhe më të fortë, ndaj pritet të bëjnë një rezistencë të fortë për kreun e renditjes. Nuk ka ikur asnjë lojtar i ekipit të parë, ndërsa ka ardhur mesfushori Bodfmer nga Lioni dhe Nene nga Monako, të cilët pritet të forcojnë ndjeshëm këtë repart.
Rene – Edhe pse bëri një paraqitje për t’u vlerësuar në sezonin e kaluar, nuk ka arritur të mbajë yjet e tij. Drejtuesit e klubit u joshën nga ofertat që erdhën dhe vendosën të largojnë futbollistë të rëndësishëm dhe kanë afruar në ekip talente të rinj në moshë dhe me kosto më të ulët. Skuadrës i janë larguar plot katër titullarë dhe pikërisht Hanson, Sou, Briand dhe Pagis.
Monako – Lëvizje të shumta në këtë merkato, por jo të lojtarëve me peshë. Vetëm një largim i rëndësishëm, pikërisht ai i Nene, ndërkohë që është rikthyer nga huazimi Eidur Godjohnsen.
Okserri – Ishte surpriza e sezonit të kaluar, kur u renditën në vendin e tretë. Drejtuesit nuk kanë preferuar të investojnë akoma më shumë, duke bërë blerje të rëndësishme, gjithsesi nuk kanë larguar asnjë prej titullarëve. Trajneri Zhan Fernandez pranon se është e vështirë, por edhe se janë të aftë të sigurojnë sërish një vend në Evropë.
Lila – Shumë pak lëvizje nga skuadra që dhuroi një futboll të bukur në sezonin e kaluar dhe u rendit e katërta. Trajneri Rudi Garsia do t’u besojë të njëjtëve emra, ndërsa kanë marrë edhe një lojtar me peshë si Sou.