Blutë mundin Nacional Madeirën
Dinamo e ka mbyllur me nder periudhën përgatitore në Maribor të Sllovenisë, teksa ka fituar ndaj portugezëve të Nacional Madeirës. Në fakt, argjentinasi i pankinës dinamovite, Luis Manuel Blanko, ka menduar që pas dy humbjeve me Palermon dhe Real Sociedadin, të ndërhyjë në formacionin e tij. Dhe ka ulur në stol serbin Putinçanin, i cili ka pasur një dëmtim në gishtin e madh të këmbës, pas shkeljes që i kanë bërë spanjollët gjatë miqësores të së mërkurës. E në vendin e tij është aktivizuar Soza, teksa argjentinasi ka ndryshuar dhe skemën taktike nga 4-2-3-1 në 4-3-3. Nëse në mbrojtje nuk ka ndryshuar asgjë me Xhafën nga e djathta, Pishën e Malakarnen në qendër dhe Peqinin nga e majta, në mesfushë treshja ishte Muzaka në të djathtë, Garcia në qendër dhe Vila në të majtë. Në sulm Soza në të djathtë, Bakaj në qendër dhe Martinena nga e majta. Kjo ishte vendosja që duket se u dha fitoren bluve në miqësoren e tretë në Maribor, ndonëse administratori i dinamovitëve, Ismet Saliaj, ishte i mendimit se nuk është thjeshtë hyrja e Sozës që ndryshoi nivelin e lojës së bluve. "Në tërësi, - thotë Saliaj, - e ka dominuar ndeshjen, duke qenë se Blanko vendosi që ta mbajë më gjatë formacionin titullar. Që do të thotë se zëvendësimet u kryen më vonë, por në tërësinë e saj Dinamo e kontrolloi lojën dhe e meritoi fitoren. Në të tre ndeshjet, pavarësisht se në dy kemi humbur, me formacionin e parë gjithnjë gjërat kanë ecur mirë". Dhe në fakt, te dinamovitët të tria miqësoret janë trajtuar me nota pozitive.
Shiu
Që nga pasditja e së premtes, atëherë kur dinamovitët kanë kryer stërvitjen e tyre të fundit në Maribor, shiu dhe koha e keqe nuk është ndarë për asnjë çast. Me shi është luajtur dje dhe ndeshja me portugezët e Nacional Madeirës. Ky moti i keq nuk e ka ulur ritmin e lojës, përkundrazi të dyja skuadrat kanë luajtur mirë. Madje Edgar Kosta ka pasur një mundësi shënimi, që është shmangur nga portieri Hidi. Në pjesën e dytë, tre raste të tjera shënimi për portugezët me Tomasheviç në të 51', Marsio Madeirën në të 54' dhe Rene Miheliç në të 67', që janë shmangur nga portieri Hidi. Në të 80', pas krosimit të saktë të Bakajt, Malakarne me kokë, i ardhur nga mbrojtja dinamovite, ka shënuar në portën e portugezëve. Pas golit, Diego mund dhe të barazonte, por blutë kanë qenë me fat. Deri në fund portugezët e kanë mbajtur nën presion Dinamon, e cila ka bërë gjithçka mirë, derisa në fund ndeshja ka përfunduar 1-0 për kampionët e Shqipërisë.