E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorë e biznese tek Shkëmbi i Kavajës dhe në Golem, protestë për autostradën

Banorët dhe shoqata e biznesmenëve që kanë aktivitete përgjatë rrugës kombëtare nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem i janë rikthyer protestave kundër autostradës Plepa-Kavajë. Pronarë të hoteleve, moteleve, restoranteve, vilave, apartamenteve, fshatrave turistikë dhe banorë të zonës i janë rikthyer protestës me pretendimin se Ministria e Transporteve vazhdon të qëndrojë indiferente ndaj kërkesave të tyre. Ndërtimi i autostradës vetëm 5 metër larg bizneseve i nxjerr të gjitha aktivitet jashtë çdo lloj mbijetese ngase pushuesit detyrimisht orientohen për të braktisur Shkëmbin e Kavajës, Golemin e Karpenin, zonë turistike shumë e frekuentuar veçanërisht në muajt e verës. Pronarët e këtyre lokaleve, në të cilat kanë futur miliona lekë e dollarë, kanë kërkuar që gjatësia e rrugës nga Plepat e Plazhit të Durrësit deri në dalje të Golemit të jetë në kalldrëm për të detyruar mjetet të ecin me shpejtësi të vogël. Protestuesit kanë thënë se nuk e kanë ndërmend të tërhiqen, duke u kërkuar të gjithë faktorëve të pushtetit lokal e atij qendror të mos e politizojnë protestën e tyre. Investimi që ka nisur tre muaj më parë, saktësisht me 5 janar 2009, ka pasuar me probleme serioze për zhvillimin e turizmit bregdetar në këtë zonë. Afro 100 pronarë hotelesh dhe restorantesh si dhe banorë të zonës në Shkëmbin e Kavajës dhe Golem janë shprehur në miratim të investimit kryesor që do të shërbejë për përmirësimin e ndjeshëm të qarkullimit të automjeteve nga jugu i vendit drejt Tiranës e Durrësit. Por ata kanë apeluar në protestën e tyre për riparjen e projektit. Rruga shkon ngjitur me lokalet, restorantet, hotelet, motelet, këndet e shumta të argëtimit dhe apartamentet tek Shkëmbi i Kavajës deri në Golem. Nëse kjo rrugë do të bëhet autostradë, pa nënkalime e mbikalime dhe pa dalje në të majtë e në të djathtë e gjitha zona rrezikon të dalë jashtë guidave turistike dhe banorët rrezikojnë të izolohen krejtësisht në këtë zonë. Protestuesit kanë deklaruar se do ta përshkallëzojnë protestën deri në bllokim të rrugës kombëtare. Në bregdetin nga Plepat deri në kufirin ndarës të Golemit me Kavajën mendohet se pushojnë më shumë se 60 për qind e turistëve të gjithë bregdetit Durrës-Kavajë. Banorët dhe biznesmenët janë shprehur se nuk mund të ketë autostradë dhe as rrugë të shpejtë në një zonë të tillë ku hotelet, restorantet, këndet e lojërave etj., janë ngjitur me rërën e detit, ndërsa ndahen nga rruga vetëm nga kangjella e prita dekorative. Në këtë zonë mendohet se mesatarisht pushojnë më shumë se 50 mijë vetë në ditë sezoni veror dhe në mesin e tyre ka të moshuar, fëmijë e gra, të cilët detyrohen të kalojnë në anën tjetër për në vendet e qëndrimit të përkohshëm.

Last Updated on Wednesday, 08 April 2009 10:40

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›