E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli dhe Hamasi përgatiten për betejë

Autori i Lajmit: Nga AFPNjë vit pas luftës së Izraelit në Gazë, një qetësi e paprecedent ka mbretëruar përreth kësaj enklave, të kontrolluar nga organizata Hamas, por të dyja palët janë duke zhvilluar përgatitjet për rundin e ri të pashmangshëm të betejës.
Që nga përfundimi i ofensivës 22 ditore të Izraelit, për ti ndalur sulmet me raketa nga territori i Gazës, pas vendosjes së armëpushimit më 18 janar, brezi kufitar ka qenë relativisht i qetë, përkundër shkeljes së armëpushimit nga ana e dy palëve.
“Asnjë ushtar apo qytetar izraelit nuk është vrarë si pasojë e akteve terroriste në dimrin e vitit 2009, një fenomen të cilin nuk e kemi përjetuar gjatë dekadës së kaluar”, ka thënë kryesuesi i shërbimit të inteligjencës së ushtrisë izraelite, gjenerali Amos Yadlin.
Të dy palët kanë arsyet e tyre për ta ruajtur status quonë.
“Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, janë të interesuar që të ruajnë situatën aktuale. Izraeli dëshiron një shkallë të stabilitetit politik, ndërsa Hamasi ka nevojë që të krijojë kapacitetet e veta për luftë”, theksoi David Hartwell, analist për Lindjen e Mesme në Janes, grup i specializuar për çështje të mbrojtjes.
Por, përtej qetësisë në dukje të parë, armiqtë rajonalë janë duke u përgatitur për konfliktin e radhës, i cili pothuajse me siguri se do të shpërthejë herët a vonë.
“Për shkak se të dy palët e presin konfliktin, ai në fund edhe ndodh”, shtoi Hartwell.
Izraeli ka shpenzuar me miliona dollarë për të zhvilluar mburoja mbrojtëse nga raketat artizanale, të cilat shpesh shkrepen nga Gaza, si dhe nga armët më të sofistikuara, të cilat i ka shfrytëzuar organizata Hezbollah në Liban, gjatë luftës që zhvilloi me Izraelin në vitin 2006, apo edhe nga raketat me rreze të mesme të veprimit, të cilat gjenden në arsenalin e armikut të vet të përbetuar, Iranit.
“Edhe përkundër faktit se ka pasur përmirësim të vazhdueshëm të sigurisë përgjatë kufijve tanë, armiqtë tanë kanë përmirësuar dukshëm kapacitetet e tyre për të goditur me precizitet më të madh”, deklaroi gjenerali Aviv Kochavi, nga dega ekzekutive e ushtrisë së Izraelit.
“Prapa të gjitha këtyre gjërave, në masë të madhe qëndron Irani”, shtoi ai.
Irani mbështet si Hamasin, ashtu edhe Hezbollahun, edhe pse ekzistojnë mosmarrëveshje në lidhje me atë se sa janë përmasat e kësaj përkrahjeje. Izraeli thotë se Irani ofron armatim dhe trajnim, ndërsa Teherani thotë se iu ofron vetëm përkrahje morale këtyre organizatave.
Për Hamasin, ky pushim është mundësi për ta rimbushur arsenalin e vet në Gazë, territor ky i cili gjendet nën bllokadën e ashpër të Izraelit dhe të Egjiptit, që nga ngritja e Hamasit në pushtet, në qershor të vitit 2007, pasi që përmbysi forcat besnike të presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, i cili përkrahet nga Perëndimi.
Pjesa më e madhe e armëve të Hamasit trafikohen në Gazë nëpërmjet tuneleve në kufi me Egjiptin dhe ajo e mbanë në fshehtësi llojin e armëve që posedon.
Por në shtator, udhëheqësi politik i kësaj organizate, Khaled Meshaal, u lavdërua se Hamasi është duke blerë armatim me të gjitha mjetet që ka në dispozicion.
“Vëllezër në Palestinë, përkundër bllokadës dhe mbylljes së kalimeve kufitare ne blejmë armë, ne jemi në gjendje ti prodhojmë dhe ti trafikojmë ato”, theksoi Meshal gjatë vizitës së tij në Sudan.
Izraeli ka theksuar se kjo organizatë ka trafikuar edhe armë të sofistikuara, duke përfshirë këtu edhe raketa, të cilat janë në gjendje ti qëllojnë vendbanimet me popullatë të dendur në Tel Aviv.
Hamasi i ka cilësuar si “fabrikime” këto deklarata.
“Hamasi është duke i rindërtuar forcat e veta, po rekruton një numër më të madh të rekrutëve dhe po teston pajisje të reja për të qenë më efektivë gjatë eskalimit të ardhshëm ushtarak kundër forcave izraelite”, deklaroi një komandant i lartë i forcave izraelite.
Sidoqoftë, përpjekjet e Hamasit për riarmatim mund të pengohen dukshëm nga barriera nëntokësore të cilën Egjipti është duke e ndërtuar në kufi me Gazën, ku gjendet numri më i madh i tuneleve për trafikim.
Barriera nga hekuri, ndërtimi i së cilës u konfirmua javën e kaluar, do të jetë 30 metra e thellë dhe do të shtrihet në një gjatësi prej 10 kilometrave.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›