Mjekësia, miratohen 285 kuota specializimi
Autori i Lajmit: RedaksiaQeveria miratoi dje 285 kuota specializimi për Fakultetin e Mjekësisë. Këshilli i Ministrave vendosi gjatë mbledhjes së djeshme për kuotën e pranimit dhe tarifën e shkollimit në programet e ciklit të tretë, të studimeve specializuese afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Tiranës, në vitin akademik 2009-2010. Pas miratimi të 285 kuotave për specializime në mjekësi, kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Arsimit, që në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe Rektoratin, të ecet përpara me shpejtësi drejt fakulteteve private të mjekësisë, duke përcaktuar njëkohësisht kritere sa më serioze. “Zgjerimi i bazës spitalore dhe modernizimi i saj e bën krejtësisht të mundur që të ketë edhe fakultet mjekësie privat, pasi duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se numri i mjekëve për frymë nuk është në standardin evropian dhe ne duhet të rrisim diplomimin e kualifikimin e mjekëve”, - theksoi kryeministri Berisha.Nga kuotat e përcaktuara 21 kuota caktohen për kandidatët nga trojet shqiptare. Tarifa vjetore e shkollimit për studimet specializuese afatgjata, në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Tiranës, të jetë 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë. Në total kuota e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë dhe “Master i nivelit të parë”, me kohë të plotë, për vitin akademik 2009-2010, është 7 570 gjithsej.
Kuotat për Doktoraturë në Fakultetin e Drejtësisë dhe UBT
Qeveria miratoi dje 75 kuota të reja studimi për Doktoraturë në Fakultetin e Drejtësisë. Kuotat e pranimit në këto programe studimi të doktoratës, në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, për vitin 2009, janë, gjithsej, 75, prej të cilave 15 për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë vendit. Ndarja e këtyre kuotave, sipas programeve të studimeve, është, si më poshtë vijon: Doktoratë në “Shkencat juridike civile“, 25 kuota; Doktoratë në “Shkencat penale”, 25 kuota; Doktoratë në “E drejta publike” 25 kuota.” Tarifa e shkollimit për këto programe studimi të doktoratës është 200 000 (dyqind mijë) lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga Fakulteti i Drejtësisë, i Universitetit të Tiranës.” Gjithashtu u miratuan dje edhe 89 kuota pranimi në këto programe studimi të doktoratës, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, për vitin 2009, prej të cilave 10 kuota për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të vendit. Ndarja e kuotave të mësipërme, sipas programeve të studimeve, është, si më poshtë vijon: Doktoratë në “Bujqësia dhe mjedisi” 40 kuota; Doktoratë në “Ekonomi dhe agrobiznes”, 35 kuota; c) Doktoratë“Shkencat dhe bioteknologjia ushqimore”, 5 kuota; Doktoratë në “Shkencat pyjore”, 9 kuota.”. Tarifa e shkollimit për këto programe studimi të doktoratës është 200 000 (dyqind mijë) lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste, të caktuara nga fakultetet përkatëse të Universitetit Bujqësor të Tiranës.”
Ky lajm është publikuar: 24/12/2009