A/H1N1 viktima e 7-të në Shqipëri, 25-vjeçari tetraplegjik
Autori i Lajmit: RedaksiaVirusi A/H1N1 i ka marrë jetën dje, një tjetër të riu 25-vjeçar në Shqipëri duke shënuar viktimën e 7-të. Djali 25—vjeçar, tetraplegjik, ishte nga qyteti i Korçës, dhe prej disa ditësh vuante nga gripi i derrit. Ndërkohë në gjendje kritike është edhe jeta e një gruaje të re 5-muajshe shtatzënë me dy binjakë, për shkak të prekjes nga virusi pandemik. Gruaja e ardhur nga Kukësi, prej dy ditësh, ndodhet e shtruar në repartin e reanimacionit në Senatorium, në Tiranë. Mjekja Irena Shima, e cila ndjek gjendjen shëndetësore të gruas shtatzënë thotë se pacientja ndodhet në një moment kritik për jetën e saj dhe të dy binjakëve. Në fillim gruaja ishte shtruar në spitalin e qytetit verilindor të Kukësit, më pas ishte transportuar në Tiranë, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe prej andej në Senatorium. Mjekja tregon se gruaja paraqet probleme dhe me aneminë dhe se po mbahet me frymëmarrje të drejtuar për shkak të komplikacioneve në mushkëri që ka dhënë virusi AH1N1. Mjekja e Senatoriumit, Irena Shima, bën të ditur se në rrezik janë dhe dy binjakët që ajo pret. Mësohet se në spitalin e mushkërive ndodhet e shtruar dhe një tjetër grua. Pacientja 37-vjeçare gjithashtu është në gjendje kritike dhe mbahet me frymëmarrje të drejtuar. Vetëm pak ditë më parë një 18-vjeçare shtatzënë e infektuar me virusin e gripit të derrit ndërroi jetë në muajin e 8 të shtatzënisë. Ndërkohë dje ka nisur vaksinimi kundër gripit të derrit i stafit mjekësor dhe pritet të nisë vaksinimi i kategorive të tjera në risk. Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve që janë pjesë e këtyre kategorive të riskuara dhe prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse vaksina nuk ka efekte të mëdha anësore. Deri më 22 dhjetor numri i personave të infektuar në vendin tonë kap shifrën e 337 personave, ndërsa shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë. Të dhënat nga ISHP bëjnë me dije se janë marrë deri në datën 22 dhjetor 2500 mostra nga Tirana dhe rrethet. Numri më i madh i mostrave është marrë në grup-moshën 15-24 vjeç, ku dhe vihet re dhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Ministria e Shëndetësisë saktëson se survejanca në të gjithë vendin është plotësuar me informacionin mbi shtrimet në të gjitha spitalet e vendit si dhe është përforcuar për zbulimin dhe monitorimin e rasteve me sëmundje të rëndë respiratore. Ndërkohë ka nisur vaksinimi kundër gripit të derrit i stafit mjekësor dhe pritet të nisë vaksinimi i kategorive të tjera në risk. Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve që janë pjesë e këtyre kategorive të rriskuara dhe prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse vaksina nuk ka efekte të mëdha anësore.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2009