E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët: Tërmeti i së dielës, më i frikshëm se ai i ‘67-ës

Tërmeti bie një herë në 40 vjet". Banorët e fshatrave të shkundur të dielën e thonë këtë si të jetë një e vërtetë e pakundërshtueshme. Kur shtëpitë u drodhën bashkë me zemrat e tyre, të moshuarit kujtuan tmerrin e katër dekadave të shkuara. Atëherë lëkundjet ishin më të forta dhe për më tepër ishte palca e dimrit.Sabri Miftari ishte 24 vjeç në vitin 1967, kur tërmeti me magnitudë 6.8 ballë të shkallës Rihter e shkatërroi krejtësisht shtëpinë e tij, që ndodhej pak a shumë në të njëjtin truall ku e ka edhe sot shtëpinë. "Ky djali që shihni ishte në djep në atë kohë, thotë Sabriu, duke bërë me gisht nga i biri, Muniri 42-vjeçar. Të gjithë arritëm të dilnim nga shtëpia përveç tij. Kur hymë, e pamë që mbi djep kishte rënë një tra nga të tavanit. Kujtuam se e humbëm, por sa hoqëm trarin, djali hapi sytë". Sabriu kujton se në vitin 1967, pas tërmetit, shteti e ndihmoi të riparonte shtëpinë, të cilën në vitet ‘80 e shembi përfundimisht për të ngritur një të re, njëkatëshe. Edhe pse konsiderohet shtëpi e re dhe ka konstruksion betoni dhe hekuri, shtëpia e Sabri Miftarit është dëmtuar përsëri. Kjo shtëpi ndodhet në kurrizin e një kodre që është plasaritur krejt në fshatin Çerenec. Edhe Nadire Uka, kushërirë e Sabriut, ka qenë e re kur ra tërmeti i vitit 1967, që shkaktoi edhe shumë viktima në zonën e Dibrës. "Ai tërmet ishte vërtet më i fortë, por nuk ishte kaq i frikshëm sa ky i fundit. Atëherë ra ditën, rreth orës tetë të mëngjesit, kur shumica e njerëzve kishin dalë në punë. Po këtij të së dielës nuk kishe ç‘a t‘i bëje se na zuri të gji-thëve brenda", thotë Nadirja, duke tymosur një duhan në verandën e kushëririt të saj, ku janë mbledhur edhe të tjerë lagjexhinj. Edhe Nadirja ka një histori të njëjtë si ajo e Sabriut me djalin e vet. "E kisha djalin në djep dhe i ra një tra përsipër, por e mbrojti Zoti, nuk u dëmtua", tregon gruaja e veshur në të zeza, e cila është e bindur se edhe kësaj radhe Zoti ia ka mbrojtur fëmijët. Të gjithë të moshuarit e Çerenecit e mbajnë mend tërmetin e 1967-ës, që ishte shumë më i fortë se ky i së dielës, por të gjithë këmbëngulin se, megjithatë, tërmeti i afërt ishte më i frikshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›