E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: 15 ministrat e qeverisë sime

Kryeministri Sali Berisha publikoi dje përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, teksa sot do t‘i drejtohet kreut të shtetit për dekretim. Me gjithë premtimin e disa ditëve më parë, se struktura e qeverisë nuk do të ndryshonte, kreu i ekzekutivit për të shuar pakënaqësitë brenda kampit demokrat është detyruar të shtojë edhe një ministri. Emrat e rinj që do të ulen në karriget e 15 anëtarëve të Këshillit të Ministrave janë Arben Imami, i cili do të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes; Spiro Ksera te Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta; Ferdinand Xhaferraj në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Myqerem Tafaj në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Kryeministri Berisha nuk ka spostuar nga dikasteret që drejtonin edhe përpara zgjedhjeve të 28 qershorit tre ministra. Sokol Olldashi, Majlinda Bregu dhe Ridvan Bode janë rikonfirmuar në ministritë që drejtonin, përkatësisht Olldashi te Transportet, Bregu tek Integrimi dhe Bode te Financat. Genc Ruli është një tjetër emër që ka mundur të ripërfshihet në qeveri, këtë herë në Ministrinë e Bujqësisë. Bujar Nishani ka lënë karrigen e ministrit të Brendshëm, për tu ulur në atë të shefit të Drejtësisë, ndërsa posti i tij është marrë nga Lulzim Basha. Pas eksperiencës në Ministrinë e Punëve Publike, Ministrinë e Jashtme, këtë herë do të jetë Ministria e Brendshme e cila do të vendoset "nën shina" nga një ministër si Basha, i cili gjatë katër viteve të shkuara nuk doli një ditë jashtë kabinetit "Berisha". "Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, në pesë ditët e para vendi kishte qeveri, por që nga ajo periudhë deri tani ju keni pritur emrat e qeverisë së re. Ky është një proces kushtetues në tërësi. Sot, pas konstituimit të Parlamentit, ju dërgua Presidentit të Republikës kërkesa e koalicionit të djathtë për Kryeministrin e ri. Unë jam sot këtu si Kryeministër", tha Berisha. Posti i Ministrisë të Mjedisit është lënë për Fatmir Mediun, për të cilin Kryeministri Berisha nuk hezitoi të ofrojë mbrojtje nga akuzat dhe kundërshtitë që një grup gazetarësh dhe intelektualësh shfaqën dy ditë më parë kundër tij. "Mediu është kryetar i PR-së, një politikan me eksperiencë, gjeolog dhe kam bindjen se kjo ministri do të drejtohet me kompetencë, aftësi dhe përkushtim nga zoti Mediu, por falënderoj me shumë mirënjohje Lefter Xhuvelin", tha Berisha. LSI do të mbajë në qeverinë e re postin e zv/kryeministrit dhe postin e ministrit të Jashtëm që do të mbahet nga Ilir Meta. Dy përfaqësuesit e tjerë të LSI, Dritan Prifti do të kontrollojë Ekonominë dhe Petrit Vasili sektorin e Shëndetësisë. Kryeministri ka shtuar edhe një tjetër portofol në kabinetin e tij, Ministrinë e Shtetit, e cila do të drejtohet nga Genc Pollo dhe do të mbajë lidhjet e qeverisë me Parlamentin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›