E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët apel për tunelet e Selixës: Ushtria t'i mbyllë



MAT/ HASAN PASHA

Banorë të fshatrave të Komsisë në rrethin e Matit janë rikthyer në tunelet e Qafë Shtamës, aty ku 13 vjet më parë humbën jetën tragjikisht 23 banorë të këtij fshati, kryesisht të rinj dhe fëmijë. Kryetari i fshatit Selixë dhe banorë të tjerë i janë ankuar dy ditë më parë deputetit të Qarkut Dibër, Bedri Hoxha për rikthimin e njerëzve në këto tunele, për të grumbulluar e shitur gëzhoja të municioneve luftarake. Ata janë shprehur se megjithëse Ministria e Mbrojtjes dy vjet më parë i kishte bllokuar këto tunele, pas këmbënguljes së vazhdueshme të deputetit Qemal Minxhozi, sërish persona të ndryshëm janë rikthyer në tunele për të mbledhur bronz dhe bakër, të cilin e shesin në tregun e zi. Fiqiri Dishani, kryetar i fshatit të tragjedisë së madhe të 29 prillit 1997, tha se shqetësimi vjen në rritje për shumë arsye. "Kanë kaluar 13 vjet dhe ende nuk ka një përgjegjës për atë ngjarje tragjike. 12 nga 23 viktimat e fshatit tonë nuk kanë një varr ku njerëzit e afërm të vendosin lule e të bëjnë homazhe. Askush nuk është kujtuar gjatë këtyre viteve për të dëmshpërblyer familjarët e viktimave të pafajshme apo për të plotësuar një pjesë së kërkesave të tyre ekonomike", shprehet numri një i fshatit majë malit, ku njerëzit rrojnë si mos më keq. Ata kërkuan të shpërngulen për shkaqe ekonomike dhe për të mos pasur pranë tunelet që përpinë gjithë ato njerëz. As kjo kërkesë nuk u zgjidh. Dy vite më parë banorët u "rebeluan" dhe kërkuan mbylljen e dyerve të tuneleve sepse njerëz të shumtë, kryesisht nga zona përreth mblidhnin gëzhoja për t'i shitur. Ankesat e tyre në komisariatin e policisë, pranë deputetit Minxhozi dhe Ministrisë së Mbrojtjes bënë që tunelet të mbylleshin nga forcat e xhenios. Mirëpo edhe muajt e fundit, pas heqjes së borës, persona ende të paidentifikuar, kanë rinisur "punën" e tyre në tunele. Kryeplaku i Selixës tha se: "Persona të panjohur janë rikthyer në tunele, kryesisht natën dhe vazhdojnë punën për mbledhjen e gëzhojave të municioneve të artilerisë së rëndë. Kanë hapur një pjesë të murit të tunelit kryesor dhe pasi futen brenda bëjnë çmontimin e predhave të mëdha. I nxjerrin gëzhojat nga tuneli dhe pastaj i transportojnë me kafshë deri poshtë në fshat, duke i shitur në pikat e grumbullimit të metaleve". Dishani, pjesëtar i fisit të cilit i përkisnin pjesa më e madhe e viktimave, tha se shqetësimi nuk lidhet vetëm me faktin se personat që hyjnë në tunele mund të rrezikojnë jetën. Sipas tij, një pjesë e kufomave nuk janë nxjerrë nga tunelet dhe personat që hyjnë mund të shkelin mbi eshtrat e tyre. Këtë shqetësim banorët e Selixës ia bënë prezent deputetit Bedri Hoxha gjatë ceremonisë së fundit. Ata i kërkuan atij të ndërhynte pranë dikasterit të mbrojtjes për të ndalur përfundimisht hyrjen e njerëzve në tunelet e Qafë Shtamës. Hoxha ka deklaruar se ky problem do t'i bëhet prezent ministrit Imami dhe se fenomeni do të marrë fund një herë e mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›