Kriza politike, PD-PS përplasen edhe në Bruksel
Maxhoranca dhe opozita pritet të përplasen gjatë dy ditëve të ardhshme në Bruksel, kur në Parlamentin Evropian të mblidhet Komiteti i Ndërparlamentar i Stabilizim Asocimit. PD-ja dhe PS-ja do të mbrojnë pozicionet e tyre, përsa i përket debatit mbi hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. "Takimi i grupit të deputetëve në Bruksel është pikërisht për të diskutuar krizën që sot ekziston në Shqipëri, kriza politike, kriza institucionale dhe kriza ekonomike. Do të njoftojmë dhe bashkëbiseduesit e tjerë në Bruksel, që ne vijmë nga greva dhe sapo të kthehemi prapë në Tiranë, do hyjmë në grevë", u shpreh dje deputeti i PS-së, Namik Dokle. Nga ana tjetër, maxhoranca pritet të mbrojë tezën se zgjedhjet e 28 qershorit nuk janë kontestuar nga komisionerët e majtë dhe janë vlerësuar njëkohësisht nga raportet ndërkombëtare. Maxhoranca përfaqësohet në Komitetin Parlamentar të Asocim-Stabilizimit nga deputetët Fatos Beja, Viktor Gumi, Albana Vokshi, Florian Mima, Jemin Gjana, Mesila Doda, Aldo Bumçi, ndërsa PS nga Valentina Leskaj, Arben Malaj, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Sajmir Tahiri, Ilir Beqja.