E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia, letër Ramës: Liro bulevardin



Etleva Delia

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj i kërkoi dje zyrtarisht kreut të PS së Tiranës, Besnik Baraj dhe kryetarit të Bashkisë Edi Rama, të lirojnë qarkullimin në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Kreu i policisë së Tiranës, u ka kujtuar përfaqësuesve të protestës, se me bllokimin e bulevardit duke penguar qarkullimin e automjeteve, kanë shkelur nenet 5 dhe 7 të ligjit për tubimet, pasi nuk kanë dërguar njoftim për ditët e tubimit pas datës 30 prill 2010, siç është e parashikuar me ligj. Për këtë shkak, Policia e Tiranës u kërkoi dje zyrtarisht organizatorëve të grevës së urisë në sheshin para Kryeministrisë që të zhbllokojnë bulevardin "Dëshmoret e Kombit" në mënyrë që të mundësohet lëvizja e mjeteve të transportit. Drejtori i policisë Tonin Vocaj i është drejtuar, Edi Ramës, në mënyrë që me autoritetin e kryetarit të Bashkisë, të ndërhyjë në zhbllokimin e bulevardit dhe normalizimin e trafikut të Tiranës. "I nderuar zoti kryetar i Bashkisë, me shkresën tonë nr.2629/1, të datës 27 prill 2010, mbi problemet e trafikut rrugor në sheshin "Skënderbej", ju kemi njoftuar në mënyrë të detajuar lidhur me arsyet e këtij bllokimi, si dhe duke bërë sugjerimet tona për shmangien e bllokimit të trafikut në qytetin e Tiranës", shkruan kreu i policisë në letrën drejtuar Edi Ramës. Më tej, kryepolici informon se gjatë fundjavës është rënduar qarkullimi i automjeteve, nga situata e krijuar e trafikut rrugor në Tiranë, për shkak të bllokimit më 30 prill 2010, të bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Sipas drejtorit të policisë, në rast se bulevardi vazhdon të qëndrojë i bllokuar në ditët në vazhdim, kur fluksi i automjeteve pritet që të ketë një rritje të ndjeshme në krahasim me fundjavën, gjendja e trafikut rrugor do të përkeqësohet dhe të rëndohet më tej. Nisur nga këto arsye, drejtori i policisë, i kërkoi kryetarit të Bashkisë, të ndërhyjë për shmangien e situatës së rënduar që pritet të krijohet nga numri i madh i automjeteve në qarkullim prej mëngjesit të sotëm.
LETRA PER BAREN
Në një tjetër shkresë zyrtare, drejtuar kreut të Partisë Socialiste dega Tiranë, Besnik Bare, drejtori i Policisë së kryeqytetit rikujton se me vazhdimësinë e protestës pa leje, po shkelet ligji për tubimet. Duke i garantuar zyrtarëve të PS, bashkëpunimin e policisë dhe korrektesën e saj, drejtori Vocaj, sqaron se ligji për tubimet nuk lejon zhvillimin e protestave disaditore. "Në zbatim të nenit 5 të ligjit për tubimet, ju kemi sqaruar se për çdo ditë tubimi, ju duhet të dërgoni në Drejtorinë e Policisë së Qarkut një njoftim më vete, gjë e cila nuk ka ndodhur deri tani, duke shkelur parashikimet e neneve 5 dhe 7 të ligjit për tubimet", ka informuar Vocaj degën e Partisë Socialiste të Tiranës. "Bllokimi i bulevardit "Dëshmorët e Kombit", ka cenuar rëndë situatën e trafikut rrugor në Tiranë gjatë kësaj fundjave. "Gjithashtu ju ripërsërisim se, vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, përbën vepër penale të parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal", thuhet në letër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›